Pas pesë vitesh, kultivimi i marijuanës është rikthyer në Lazarat dhe zona të tjera të jugut të Shqipërisë.
Ky lajm është raportuar nga Zëri i Amerikës që ka nxjerrë në pah dështimin e policisë për të frenuar kultivimin e marijuanës në qarkun e Gjirokastrës dhe zonat kufitare me Greqinë.
Zëri i Amerikës tërheq vëmendjen te fakti se policia e shtetit ka kryer disa aksione në jug ku ka ndaluar disa persona për kultivim narkotikësh, por që ndryshe nga herët e tjera nuk ka dhënë detaje për numrin e bimëve të shkatërruara.
Tre raste të reja narkotikësh janë raportuar në një javë, ndërsa kultivimi ka prekur zona të thella në Përmet, Tepelenë, Këlcyrë, Memaliaj dhe vende kufitare me Greqinë.
Zëri i Amerikës raporton se policia ka proceduar disa persona teksa marijuanë e kultivuar është gjetur edhe në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.
Në vitin 2013 qeveria dërgoi forcat speciale të policisë në fshatin Lazarat. Në një operacion që zgjati disa ditë u bë e mundur arrestimi i disa personave dhe asgjësimi i disa parcelave me marijuanë.
Lazarati konsiderohej si epiqendra e prodhimit kryesor të marijuanës, por megjithëse qeveria propagandoi se e kishte fituar luftën me grupet e narkotrafikut, raportimet ndërkombëtare vazhduan ta cilësonin Shqipërinë si serën evropiane të drogës, apo si vendi që prodhon dhe trafikon miliarda euro marijuanë çdo vit.
Tre vite më vonë qeveria e pranoi se nuk kishte qenë e përgatitur për atë çka do të ndodhte pas ndërhyrjes në Lazarat, ku grupet kriminale e shtrinë kultivimin në zona të tjera.
Pesë vite pas operacionit në Lazarat, marijuana është rikthyer, por kësaj here qeveria po mban profil të ulët dhe nuk po jep informacione.
Zëri i Amerikës vëren se vetëm në muajin korrik policia greke e Janinës bllokoi në zonat kufitare të Shqipërisë dhjetëra kilogramë marijuanë që vinte nga Shqipëria.
Shtatë persona janë arrestuar ndërkohë që prej gati dy muajsh në zonën kufitare vepron edhe misioni evropian FRONTEX, që synon të frenojë trafikun e drogës dhe të refugjatëve drejt vendeve të BE-së.