Zëvendës Ndihmës Sekretari Yee do të jetë ambasadori amerikan në Maqedoni

Zëvendës Ndihmës Sekretari Yee do të jetë ambasadori amerikan në Maqedoni

Burime nga Shkupi, konfirmojnë për Exit.al, se Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë Hoyt Brian Yee do të jetë ambasadori i ardhshëm amerikan në Maqedoni.

Diplomati i karrierës Hoyt Brian Yee, që prej 20 janarit kur Viktoria Nuland u largua nga detyra e saj, u ngarkua përkohësisht me funksionet e Ndihmës Sekretarit.

Gjatë kësaj periudhe, Zoti Yee ka luajtur rol të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në zgjidhjen e krizave politike në rajon, që kulmuan në muajin maj. Brenda 24 orëve, ngërçi politik në Maqedoni u zgjidh përmes vendosjes së qeverisë së re të Zoran Zaev, në Shqipëri përmes marrëveshjes MacAllister +, e në Kosovë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Edhe pas këtij suksesi diplomatik, Yee vazhdoi të spikasë në politikën e Ballkanit Perëndimor, duke deklaruar pak ditë më parë se e vërteta rreth skandalit të përgjimit në Maqedoni, që solli rënien e qeverisë së Gruevskit dhe çështja e ish-ministrit Tahiri-Habilaj në Shqipëri duhet të zbardhet plotësisht. Ditët e fundit ai vizitoi Beogradin dhe Prishtinën, me shpresën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>