Mazhoranca pranon se do të negociojë me opozitën e re parlamentare për të zgjatur mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), organi përgjegjës për kryerjen e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
KPK ka një mandat 5 vjeçar i cili përfundon në qershor të vitit 2022. Nga viti 2017 deri tani janë vetuar 401 nga 800 gjyqtarë dhe prokurorë. KPK-së i ka mbetur më pak se një vit kohë për të kaluar në vetting 399 gjyqtarët dhe prokurorët e mbetur.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla tha për Euronews Albania se e vetmja zgjidhje është zgjatja e mendatit të KPK përmes ndryshimeve kushtetuese.
“E vetmja zgjidhje është një zgjatje me një dispozite kalimtare në Kushtetutë të mandatit të Komisionit të Përkohshëm të Kualifikimit”, deklaroi Balla.
Balla shprehu bindjen se me opozitën e re do të gjendet konsensus në lidhje me këtë çështje duke qenë se ndryshimet në Kushtetutë do të kërkojnë edhe votat e opozitës në Kuvend.
“Me opozitën e re parlamentare ne mund të gjejmë gjuhën e përbashkët për të zgjatur mandatin e tyre”, shtoi Balla.
Draft strategjia e Ministrisë së Drejtësisë parashikon një zgjatje me 10 vite të afatit të zbatimit të reformës në drejtësi, gjë e cila pritet të shtojë kostot në buxhetin e shtetit me 57 milionë euro.
Ndryshimet kushtetuese kërkojnë 84 vota. Në Kuvendin e ri në shtator, PS do të ketë 74 deputetë, PSD 3, LSI 4 ndërsa PD 59. Pra për të miratuar zgjatjen e mandatit të KPK duhet që të ketë konsensues nga deputetë të PS dhe PD.