Kreu i partisë Republikane Fatmir Mediu tha të hënën se opozita po negocion mënyrën e ndërtimit të koalicionit zgjedhor.
Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, Mediu tregoi se do ketë dy koalicione opozitare, të cilat do bashkëpunojnë në qarqe të caktuara “për të maksimalizuar votat dhe kthyer ato në mandate”.
Gjatë intervistës kreu i PR u shpreh:
“Po ashtu mendoj se ka nevojë për një trupë qeverisëse e cila duhet të ketë në përbërje pedagoge, mjekë, akademikë, njerëz të artit, profesionistë, të rinj e të reja brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke bashkuar në qeverisje shqiptarët në rrugën evropiane”.
Sipas Mediut detyra e parë e opozitës është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prandaj sipas tij duhet të përcaktohen gjithë kandidatët të cilët me strukturat e opozitës së çdo qendër votimi “duhet të jenë në funksion të mbrojtjes së votave”.