Në zgjedhjet e 25 prillit dy partitë më të votuara ishin Partia Socialiste me rreth48.7 përqind të votave dhe Partia Demokratike me rreth 38 përqind të votave. Emisioni, “Me pak fjalë”, të hënën, publikoi votat dhe rritjen e secilës parti në këto zgjedhje, si më poshtë:
Partia Socialiste morri 768 250 vota. Ajo u rrit me rreth 0.3% nga 4 vite më parë duke ruajtur kështu votuesit e saj. PS fitoi në 2021, 148 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017 dhe rreth 55 mijë më shumë se në vitin 2013 kur fitoi zgjedhjet për herë parë pas 8 vite të qeverisjes së PD-së.
Partia Demokratike fitoi 622 265 vota. Ajo u rrit me rreth 72 mijë votues më shumë se 4 vite më parë. Në raport me totalin, PD mori rreth 39.4% të votave, 10.5% më shumë se zgjedhjet e vitit 2017.
Me rezultatin e 25 prillit, PD ka arritur afërsisht në numrin e votuesve që ka patur në vitin 2009, kur u aplikua për herë të parë sistemi proporcional zgjedhor.
PD pati rënie të numrit të votave në zgjedhjet e vitit 2013-të dhe vitit 2017-të. Në zgjedhjet e vitit 2017, PD shënoi rezultatin më të ulët me rreth 150 mijë vota më pak se në vitin 2009. Por këto votues duket se janë rikthyer në zgjedhjet e 2021.
Lëvizja Socialiste për Integrim morri 107 536 vota. I njejti ndryshim votash, por me trend të kundërt, ka ndodhur për LSI-në. Ky rezultat është 34 mijë vota më i lartë se viti 2009 për LSI-në, dhe rreth 118 mijë vota më pak se në 2017.
Në zgjedhjet e vitit 2017, LSI u rrit me rreth 150 mijë vota, rreth 14.3% të totalit të votave. Pas zgjedhjeve të fundit kjo përqindje u ul në rreth 6.8 përqind.
Partitë e tjera morën në total 44 768 vota, prej të cilave Nisma Thurje fitoi 10 216 vota, e dyta u rendit Bindja Demokratike e Astrit Patozit me rreth 8 mijë vota dhe e treta u rendit Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit me rreth 7 mijë vota.
Në zgjedhje morën pjesë edhe 5 kandidatë të pavarur, prej të cilëve më shumë vota arriti të merrte Boiken Abazi, i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë me 2993 vota.
Rezultatet e kandidatëve të pavarur nuk mjaftuan për marrjen e një mandati në Kuvend.