Gjeneratat e reja kanë ndëshkuar me votë partitë e vjetra në Kosovë të cilat i shohin si përgjegjëse për situatën e vendit.
Kështu u shpreh Bekim Kabashi në “Me Pak Fjalë” ndërsa foli për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit të cilat u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje me rezultat të thellë.
Megjithatë, Kabashi u shpreh se përpos mbështetësve të LVV-së, “ka votë kundër partive të vjetra”.
Kjo votë proteste sipas tij vjen kryesisht nga “gjeneratat e reja që kanë fituar të drejtë vote” prej vitit 2000.
Duke qenë më pak të lidhur me identitetin historik të partive të vjetra – LDK dhe PDK që kanë dominuar politikën për dy dekada – të rinjtë kanë kërkuar ndryshim me anë të votës sipas Kabashit, i cili shtoi se kjo është nxitur edhe nga “problemet e shumta që ka Kosova si mosliberalizimi i vizave, niveli i korrupsionit dhe situata ekonomike”.
Gazetari tha se këto zgjedhje do t’i shërbejnë “partive të vjetra që të reflektojnë pasi kanë marrë goditje shumë të rëndë”. Por në të njejtën kohë, Kabashi theksoi se këto zgjedhje shërbejnë si mesazh edhe për partitë që marrin pushtetin dhe nuk i përmbahen premtimeve të tyre.