Kandidatët për kryeministër në Kosovë kanë bërë apel që sa më shumë qytetarë të votojnë.
Enver Hoxhaj, kandidati i PDK-së, tha pasi voti se kjo është dita kur duhet të flasin qytetarët.
Sipas tij ata janë para dy opsioneve, “rimëkëmbjes ekonomike apo para një opsioni të mjegullës dhe izolimit të vendit”.
Pas tij votoi kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, njëkohësisht dhe kandidat për kryeministër i LDK-së.
Në një deklaratë për mediat pas votimit Hoti ftoi qytetarët që të thonë fjalën e tyre, ndërsa pret proces të rregullt dhe sipas standardeve.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti tha pasi votoi se sot “Kosova si shtet i pavarur i kthehet popullit”.
Ai nxiti qytetarët të votojnë dhe u shpreh optimist për fitoren.
Kutive të votimit iu drejtua edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai e vuri theksin tek sfidat me Serbinë dhe pandemia teksa u bëri thirrje sa më shumë qytetarëve të votojnë.
Kosova mban sot zgjedhjet e parakohshme për të zgjedhur parlamentin e ri.