Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës janë të pavlefshme

Nga Marash Logu
Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës janë të pavlefshme

Në datën 26 Mars (dy ditë pasi Qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore), Ministrja e Arsimit Besa Shahini caktoi 12 Qershorin si datën e zgjedhjeve për drejtuesit e universiteteve publike. Në kohën kur Ministrja Shahini shpalli datën e re të zgjedhjeve, gjendja e fatkeqësisë natyrore ishte parashikuar të zgjaste vetëm tridhjetë ditë, deri në 23 Prill.

Por, pikërisht më 23 Prill, Kuvendi miratoi propozimin e qeverisë për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 Qershor. Pavarësisht, se data e zgjedhjeve binte në kohën e fatkeqësisë natyrore deri më tani Ministrja e Arsimit nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me zhvillimin apo jo të zgjedhjeve në universitetet publike.

Në datën 30 Prill, Ministrja e Arsimit urdhëroi rikthimin e studentëve që diplomohen në qershor, ndërsa për të gjithë studentët e tjerë më 25 Gusht. Sërish asnjë fjalë për zgjedhjet. Megjithatë, nga urdhëri i ri i Ministres kuptohet që zgjedhjet do të zhvillohen në një kohë kur pjesa më e madhe e studentëve nuk do të jenë kthyer akoma në auditore.

Në të njëjtën ditë, në media qarkulloi një vendim i Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) pranë Universitetit të Tiranës, i cili kishte vendosur shpalljen e regjistrimit të kandidatëve për “Rektor” dhe “Anëtar Senati”. Menjëherë, pas kësaj deklarate do të reagonte Rektori i UT, i cili deklaroi se grup i personave që kishin nënshkruar vendimin e publikuar ishin anëtarë pa mandate të Komisionit dhe se vendimet e tyre ishin në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë dhe Rregulloren e zgjedhjeve të universitetit.

Por, si qëndron situata ligjërisht? A mund të ketë zgjedhje në universitete gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore? Kush ka të drejtë të shpallë zgjedhjet në universitete? Kur fillon dhe përfundon mandati i KIZ? A është i ligjshëm vendimi i publikuar nga KIZ i Universitetit të Tiranës? Në këtë shkrim do të përpiqemi t’u japim përgjigje objektivisht këtyre pyetjeve.

Zgjedhje gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk mund të mbahen zgjedhje për Parlamentin, pushtetin vendor dhe Presidentin e Republikës. Afërmendsh, për sa kohë nuk mbahen zgjedhje për institucionet më të rëndësishme të vendit gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, nuk mund të mbahen zgjedhje për organe të tjera, të një rëndësie disafish më pak. Do mjaftonte kjo logjikë e shëndoshë që Ministrja të anullonte mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së pandemisë.

Megjithatë, zhvillimi i zgjedhjeve në universitete është i pamundur për shkak të urdhërave të vetë Ministres. Në datën 30 Prill, Ministrja Shahini njoftoi rikthimin vetëm të studentëve që diplomohen në Qershor, ndërsa të gjithë të tjerët më 25 Gusht. Kjo do të thotë që në datën e parashikuar për zhvillimin e zgjedhjeve pjesa më e madhe e studentëve nuk do të jenë rikthyer në auditore.

Ndërsa, ligji për arsimin e lartë parashikon që studentët e universiteteve publike zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Senatin Akademik, votojnë për rektorët dhe dekanët, dhe vota e tyre llogaritet në masën 10 për qind të votave të përgjithshme. Pra, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur e studentëve është e garantuar nga vetë ligjin për arsimin e lartë. Ndërkohë, për shkak të dy vendimeve kontradiktore të Ministres, realizimi i kësaj të drejtë nga studentët do të bëhet i pamundur.

Në këto kushte, zhvillimi i zgjedhjeve në universitetet publike vjen në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe ligjin për arsimin e lartë.

Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës

Rregullorja e Universitetit të Tiranës për zgjedhjet parashikon se pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Ministri i Arsimit, Rektori bën shpalljen e zgjedhjeve në Universitet. Pas shpalljes së zgjedhjeve, Senati Akademik zgjedh anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve brenda tre ditëve. Më pas, KIZ zgjedh anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve në Fakultete. Mandati i anëtarëve të KIZ dhe KZF është katër vite.

Në Universitetin e Tiranës, Rektori i Universitetit nuk ka shpallur akoma zgjedhjet, dhe sigurisht nuk janë bërë zgjedhjet për anëtarët e KIZ dhe KZF. Pra, në Universitetin e Tiranës nuk ka filluar akoma procesi zgjedhor për drejtuesit e Universitetit. Ndërkohë, vendimi i datës 30 Prill është i paligjshëm dhe në kundërshtim me Rregulloren për zgjedhjet në UT.

Kjo, pasi mandati i Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, të zgjedhur në 2016, ka përfunduar dhe Senati Akademik duhet të kishte zgjedhur KIZ-in e ri. Megjithatë, edhe sikur ta marrim të mirëqenë cështjen e mandatit, sërish ky vendim është i paligjshëm, pasi Rregullorja ia njeh Rektorit të drejtën për shpalljen e zgjedhjeve në universitete dhe në asnjë rast KIZ. Nxjerrja e një vendimi nga një organ, që me ligj i takon një organi tjetër, e bën vendimin absolutisht të pavlefshëm.

Por, ajo cka i bën absolutisht të pavlefshme këto zgjedhje, është neni 38 i Rregullores, i cili parashikon shprehimisht se zgjedhjet janë të pavlefshme në rast të fatkeqësive natyrore që kanë penguar pjesëmarrjen e studentëve/pedagogëve për të votuar. Kufizimet e imponuara nga qeveria dhe Ministria e Arsimit e bëjnë të pamundur për pjesën më të madhe të studentëve të votojnë për drejtuesit e universitetit dhe përfaqësuesit e tyre në katër vitet e ardhshme, cka i bën këto zgjedhje të pavlefshme.

Një ndër kërkesat e studentëve gjatë protestës së Dhjetorit 2018 lidhej pikërisht me rritjen e përfaqësimit dhe peshës së votës së tyre në strukturat drejtuese të universiteteve publike. Pavarësisht, se në atë atë kohë, të gjitha palët u shprehën të gatshëm për plotësimin e kërkesave të studentëve, një vit e gjysmë më vonë kërkesa për një përfaqësim më të madh jo vetëm nuk u realizua, por qeveria dhe ithtarët e saj në universitete janë angazhuar për t’iu mohuar këtë të drejtë studentëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>