Më 28 prill, Ambasadori amerikan Donald Lu, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, dhe Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt ftuan partitë e vogla të shumicës dhe pakicës në një takim.
Megjithëse detajet e takimit nuk u bënë publike, politikanë të ndryshëm pjesmarrës në këtë takim deklaruan se ambasadorët u përpoqën të bindnin partitë e vogla, përfshirë ato që po bojkotojnë zgjedhjet, të përfitonin nga mungesa e PD-së për të marrë më shumë vota gjatë zgjedhjeve dhe të formonin “opozitën e re”.
Pyetja që shtrohet është: A munden këto parti të formojnë opozitën e re?
Tani të gjithë partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje kanë dorëzuar listën shumë emërore në KQZ. Përfundimisht në zgjedhjet e 18 qershorit janë regjistruar 17 parti. Edhe pse sondazhet në Shqipëri janë të pasigurta, përsëri mund të bëhen disa parashikime të vogla të bazuar në sistemin zgjedhor aktual, shpërndarjes së re të numrit të mandateve, dhe në statistikat e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Sistemi zgjedhor aktual e ka ndarë Shqipërinë në 12 zona elektorale me një numër fiks kandidatësh të bazuar në numrin e popullsisë në këto zona. Për të fituar një mandat deputeti, një parti politike duhet të marrë më shumë se 3 për qind të votave vetëm në një zonë. Duke qenë se nuk ka koalicione parazgjedhore deri më tani, pritet që partitë e vogla të hasin më shumë probleme në arritjen e këtij pragu, krahasuar me vitin 2013, kur ato mund të fitonin vota nga aleatët e tyre.
Deri më tani, duket se as Ben Blushi dhe as Gjergj Bojaxhi nuk kanë marrë vota nga opozita. Nëse ato synojnë votat e opozitës, atëhere ato duhet të thithin shumë vota të elektoratit të PD-së, në mënyrë që të bëjnë diferencën dhe të kapin pragun.
Nëse supozojmë se kemi të njëjtin numër votash si në 2013-ën, opozita bojkoton zgjedhjet, dhe Blushi me Bojaxhiun marrin nga një deputet në Tiranë, shpërndarja e 140 vendeve në Kuvend do të jetë kështu:
Rezultatet e mësipërme janë të ngjashme me ato të Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1996 (87 për qind e vendeve në Kuvend) dhe të Partisë Socialiste në vitin 1997 (65 për qind e vendeve në Kuvend). Të dyja këto zgjedhje janë mbajtur në periudha trazirash shoqërore të mëdha.
Ky vlerësim i bërë në vija të trasha gjithashtu do të thotë se as dyfishimi i LSI-së ose forcimi i “opozitës së re” nuk do të ishte në gjendje të ndalonte PS-në nga fitimi i mazhorancën në Kuvend.
Në fakt, ka shumë gjasa që PS të marri më shumë se sa shumica e cilësuar prej 84 vota e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën.
Me fjalë të tjera shpresat e Lu-së, Vlahutinit dhe Borchardt që “një opozitë e re” do të kishte shansin të merrte bastionin e PD-së duket shumë e largët nga realiteti. Në fakt, me shumë gjasa këto zgjedhje do të instalojnë de facto autokracinë në vend.