Zgjidhja e qeverisë për SPAK, e destinuar të dështojë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Zgjidhja e qeverisë për SPAK, e destinuar të dështojë

Me zgjedhjen e prokurorit Besnik Muçi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe shkarkimin e Ndini Tavanit, lista e prokurorëve që kandidojnë për të qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Anti Korrupsion (SPAK) është tkurrur nga 15 në 13 kandidatë të kualifikuar.

Deri më tani, vetëm 8 prej tyre kanë kaluar të dyja fazat e vetingut dhe janë konfirmuar në detyrë:

  • Arben Kraja (konfirmuar më 17 dhjetor 2018 – me vendim të formës së prerë)
  • Edvin Kondili ((konfirmuar më 7 qershor 2019 – me vendim të formës së prerë)
  • Ened Nakuçi (konfirmuar më 7 qershor 2019 – me vendim të formës së prerë)
  • Enkeleda Millonaj (konfirmuar më 13 qershor 2019 – me vendim të formës së prerë)
  • Behar Dibra (konfirmuar më 25 qershor 2019 – me vendim të formës së prerë)
  • Elida Kaçkini (konfirmuar më 18 korrik 2019 – me vendim të formës së prerë)
  • Klodian Braho (konfirmuar më 25 korrik 2019 – me vendim të formës së prerë)
  • Altin Dumani (konfirmuar më 31 korrik 2019 – me vendim të formës së prerë)
  • Manjola Kajana (konfirmuar më 19 qershor 2019 – pa vendim të formës së prerë)

Ndërsa për katër kandidatët e tjerë KPK ende nuk ka caktuar datë për seancën dëgjimore. Ata janë:

  • Anton Martini
  • Elisabeta Imeraj
  • Doloreza Musabelliu
  • Anita Jella

Dy ditë më parë, parlamenti i kërkoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) të formojë SPAK-un brenda kërij viti, që nënkupton se ai mund të formohet me më pak sesa numri minimal i prokurorëve që parashikon kushtetuta, që është 10 prokurorë.

Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, iu drejtua KLP-së:

“Mirë bëni që nuk jepni afate, por Shqipëria në mbyllje të këtij viti duhet të ketë edhe Prokuror të Përgjithshëm me mandat kushtetues, por duhet të ketë edhe SPAK.

Nuk ka dilema për kuadrin kushtetues dhe ligjor, kemi 8 prokurorë që janë kandidatë për në SPAK, për të cilët vendimi i Komisionit të Pavarur ka marrë formën e prerë.

Personalisht jam i mendimit se KLP duhet të respektojë në frymë dhe në germë Kushtetutën e vendit, konkretisht neni 148 shkronja dh, pika dy e Kushtetutës ku thotë se SPAK përbëhet nga të paktën 10 prokurorë.

Por kuadri ligjor që kemi në fuqi e ka zgjidhur këtë, mjafton që ju t’i referoheni ligjit të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë.

Kemi goxha prokurorë që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit dhe mund të shfrytëzohet hapësira e ligjit ose për caktim të përkohshëm, ose lëvizje paralele.”

Zgjidhja e përkohshme e propozuar nga Manja shko  në vazhdën e “zgjidhjeve” të mëparshme (të njohura si hapësira ligjore) të propozuara nga ekspertët ligjorë për të zgjidhur krizën e thellë kushtetuese të vendit.

Dikush mund të mendojë këtu për propozimin e EURALIUS për të ngritur Gjykatën e Lartë jofunksionale me gjyqtarët përmes “transferimeve të përkohshme” thjesht për të marrë kuorumin për të zgjedhur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ose arsyetimin e gabuar të OPDAT për zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm Arta Marku.

Sigurisht që nuk do të ishte çudi për askënd nëse edhe për dilemën SPAK, EURALIUS & OPDAT mund të propozojnë një zgjidhje të tillë jashtë syrit publik.

Në një deklaratë gjatë një takimi me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, Jorgan K. Andrews, Kryetari i KLP Ibrahimi deklaroi:

“Në 10 muaj KLP ka ngritur infrastrukturën ligjore solide për ngritjen e SPAK. Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndësishme: Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritja e SPAK. Këshilli shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë tashmë të votuar dhe 2 prokurorë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK, të cilët kanë kaluar vetingun  me vendim të formës së prerë.”

Por fillimisht le të shohim hapësirën ligjore të sugjeruar nga Manja (dhe ndërkombëtarët) të cilën KLP duhet ta shfrytëzojë për ngritur SPAK-un me minimalen kushtetuese prej 10 prokurorësh.

Nga deklaratat e tyre duket se i refrohen një “transferimi të përkohshëm” të përcaktuar në Ligjin për Statusin neni 46:

Neni 46(3)Për çështje voluminoze dhe komplekse, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i kërkojë kryetarit të prokurorisë së shkallës së parë të japë pëlqimin për transferimin e prokurorëve me kualifikim të veçantë në zyrën e Prokurorisë së Posaçme, për të punuar me çështje të veçanta, për një periudhë të caktuar

(4) Para se të merret vendimi për transferimin, sipas pikës 3, të këtij neni, Kryetari i Prokurorisë së Posaçme kërkon mendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimin dhe kualifikimin e prokurorit përkatës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të japë mendim jo të detyrueshëm të paktën tre ditë pas marrjes së kërkesës

Në shikim të parë vendoset në pikëpyetje nëse ne jemi përpara këtij rasti me “çështje voluminoze dhe komplekse”, duke qënë se SPAK nuk është ngritur ende.

Gjithsesi nëse duam ta injorojmë këtë detaj dhe ta interpretojmë ligjin në mënyrë të zgjeruar, siç EURALIUS dhe OPDAT e kanë zakojnë ta bëjnë, duket qartë se për të tranferuar në mënyrë të përkohshme një prokuror, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme duhet të përfshihet në këtë proces. Ai duhet të bëjë kërkesë për këtë transferim.

Sipas Kushtetutës neni 148/dh(3), Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet si më poshtë:

“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit.”

Nëse do të ndjekim logjikën e Kushtetutës dhe Ligjit për Statusin, SPAK duhet të ekzistojë me të paktën 10 prokurorë (neni 148/dh(2) i Kushtetutës), përpara se drejtuesi i saj të zgjidhet nga KLP (neni 148/dh(3) i Kushtetutës), dhe drejtuesi duhet të zgjidhet përpara se të bëhet kërkesa për tranferim (neni 46(3)(4) i Ligjit për Statusin).

Përveç kësaj pamundësie logjike (dhe ligjore), le të mendojmë për një moment propozimin që dy emërimet e përkohshme do të vijnë “nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK, të cilët e kanë kaluar vetingun me një vendim të formës së prerë.”

Këta do të ishin prokurorë që aplikuan për SPAK-un, e kaluan verifikimin, por u përjashtuan nga lista e 15 kandidatëve zyrtarë të përpiluar nga KLP (nga të cilët aktualisht vetëm 8 janë në dispozicion).

Më 5 prill, KLP publikoi listën e emrave të aplikantëve që plotësojnë kërkesat zyrtare për SPAK me vendimin nr. 57. Kjo listë përmbante 25 emra. Lista e 15 kandidatëve të kualifikuar zyrtarisht u miratua në 16 korrik me vendimin nr.137.

Konkluzioni i vetëm logjik mund të jetë që në skemën e propozuar të Manjës, 2 prokurorët specialë “të përkohshëm” zgjidhen nga 10 kandidatët që plotësuan kërkesat formale, por që ishin nën kërkesat për cilësinë për listën përfundimtare të 15 kandidatëve. Ky grup përfshin kandidatët e mëposhtëm:

  • Eugen Beci (i shkarkuar nga KPK)
  • Shkëlzen Cena (i shkarkuar nga KPK)
  • Gëzim Cenaj (ka dhënë dorëheqje)
  • Fatmir Hoxha (ka dhënë dorëheqje)
  • Irena Nino (ka dhënë dorëheqje)
  • Vladimir Mara (i konfirmuar në 14 qershor 2019 – me vendim përfundimtar)
  • Dritan Prençi (konfirmuar në 7 qershor 2019 – me vendim përfundimtar)
  • Maksim Sota (nuk ka kaluar ende)
  • Donika Prela (e konfirmuar në 5 shkurt 2019)
  • Besim Hajdarmataj (i konfirmuar në 16 tetor 2019)

Siç mund të duket qartë nga kjo listë, vetëm 2 prokurorë përshtaten me profilin e dhënë nga KLP: Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Të dy kaluan vetingun me formë së prerë. Të dy aplikuan për SPAK, dhe të dy u konsideruan jo të kualifikuar sa duhet për ta futur atë në listën me 15 kandidatë kualifikues.

Pra, çfarë do të thotë nëse shumica socialiste vendos të vazhdojë me këtë skemë – do të thoja, të paligjshme? Do të thoshte që e gjithë procedura e intervistimit dhe renditjes për të cilën KLP kaloi muaj me radhë për të arritur në një SPAK me cilësi të lartë, ka qënë kot.

Siç kam argumentuar më parë, jo vetëm që renditja do të ishte një humbje kohe, por të gjitha fazat e mëparshme do të ishin pa sens ose arsye.

Nëse KLP, nën presionin e Kuvendit dhe të ndërkombëtarëve, do ta vazhdojë me këtë skemë, ata do të japin një sinjal të fuqishëm: Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë cilësinë për shpejtësinë. Jemi të gatshëm të injorojmë kualifikimet e kandidatëve të SPAK dhe t’i japim nderin të themelojnë SPAK-un 10 prokurorëve që nuk janë zgjedhur bazuar në aftësitë dhe cilësitë e tyre, por thjesht sepse fati vendosi që ata të ishin të vetuar të parët. Ky do të ishte një gabim tragjik dhe dëshmi e fortë për politizimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>