Një prej grevistëve të Zharrësës pësoi sot infarkt, teksa ishte duke akuzuar deputetët e parlamentit se po heshtin ndërkohë që jetët e banorëve të fshatit po rrezikohen nga Bankers Petroleum.
Ai tashmë ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore. E gjithë situata u transmetua live në Facebook nga Nisma Thurrje.
Prej fillimit të shkurtit, banorët e fshatit Zharrës në Mallakastër ndodhen në grevë urie. Ata shprehen se jeta e tyre është e rrezikuar dhe shtëpitë e tyre janë dëmtuar nga lëkundjet e tokës të shkaktuara nga metodat e nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petroleum.
Banorët i kanë kërkuar qeverisë të dëmshpërblejë dëmet materiale dhe të ndalojë aktivitetin e kompanisë, që po rrezikon jetët e tyre.
Kjo është greva e dytë brenda dy muajve nga banorët e fshatit. Greva e parë, në dhjetor 2016, erdhi pas dre ditëve me lëkundje të mëdha të tokës nga shpimet e Bankers për të nxjerrë naftë. Greva e tyre nuk u transmetua nga pjesa më e madhe e mediave dhe qeveria nuk mori asnjë masë ndaluese.
Problemet e banorëve me kompaninë naftënxjerrëse kanë vite që vazhdojnë pa asnjë zgjidhje nga qeveritë. Në vitin 2013, banorët e këtij fshati u përballën me tri lëkundje të forta sizmike me fuqi katër ballë. Në shenjë proteste, banorët bllokuan rrugën Fier-Berat dhe hynë në grevë urie derisa qeveria pezulloi aktivitetin e kompanisë.
Në vitin 2015, qeveria pezulloi aktivitetin e Bankers Petroleum sepse gjatë shpimit të një prej puseve të naftës u çlirua në ajër gaz i dioksididit të karbonit. Qeveria i vendosi disa kushte kompanisë përpara se ajo të lejohej të fillonte punë. Kompania filloi punë pak kohë më pas, por ende nuk janë bërë publike nëse kompania i ka plotësuar kushtet e vendosura nga qeveria.
Pak ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla akuzoi ambasadorin amerikan Donald Lu se ka ushtruar presion mbi prokurorinë për të ndaluar hetimet mbi aktivitetin e Bankers Petroleum.
Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare.
Rasti më flagrant […] i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum.