Banorët e fshatit Zharrëz, pranë fushës naftëmbajtëse Patos-Marinëz, mund të nisin sërish protestat për të marrë dëmshpërblimet për shtëpitë e dëmtuara.
Në një reportazh të ABC News, banorët shprehen se qeveria ende nuk ka dëmshpërblyer banorët për 250 shtëpitë e dëmtuara nga lëkundjet e tokës të shkaktuara nga metodat e nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petroleum.
Banorët filluan protestat dhe grevën e urisë në dhjetor 2016, e cila më pas u vazhdua nga marshimi më këmbë nga Zharrëza në Tiranë, për të kërkuar të drejtat e tyre.
Nga çadra që ngritën përpara Ministrisë së Energjitikës, banorët i kërkuan qeverisë të dëmshpërblejë dëmet materiale dhe të ndalojë aktivitetin e kompanisë, që po rrezikon jetët e tyre.
Pas këmbënguljes së banorëve, Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Energjisë dhe Industrisë, si dhe Ministria e Financave hartuan draftin e një VKM-je për “marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në Zharrës nga lëkundjen e tokës”. VKM u miratua në mbedhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, në 1 mars.
Ndër të tjera, VKM parashikonte që brenda 30 ditëve grupi i punës të përgatiste një listë përfundimtare me familjet, banesat e të cilave ishin dëmtuar, shoqëruar me vlerën e dëmit. Dëmshpërblimi në masën 100 për qind të dëmit duhej paguar menjëherë dhe do të përballohej nga buxheti i Shtetit dhe Bankers.
Por gjashtë muaj pas miratimit të VKM-së dhe mbarimit të afatit 30 ditor, asnjë familje nuk ka marrë dëmshpërblimet e premtuara. Banorët e Zharrësës shprehen për ABCNews se ata i kanë dërguar letër Kryeministrit Rama ku i kërkojnë respektimin e VKM-së. Nëse nga kryeministria nuk marrin përgjigje, banorët e Zharrësës janë gati të rinisin protestat nga e para.