Zhbllokohet gara për Prokuror të Përgjithshëm, gjykata rrëzon kandidatin Alushaj

Zhbllokohet gara për Prokuror të Përgjithshëm, gjykata rrëzon kandidatin Alushaj

Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e kandidatit për prokuror të përgjithshëm, Lulzim Alushaj, i cili kishte paitur KLP-në për përjashtim të padrejtë nga gara.

Vendimi hap rrugën për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm mes tre kandidaturave të tjera të mbetura në konkurim.

Zoti Alushaj paditi Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për shkak se ky i fundit e skualifikoi nga gara për Prokuror të Përgjithshëm. Pas vlerësimit të dosjeve të kandidatëve, KLP vlerësoi se Zoti Alushaj nuk plotëson kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur të parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës dhe në ligjin 97/2016 Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë”.

Rregullorja për Procedurat për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm parashikon se “Këshilli nuk ndërmerr veprime të mëtejshme deri në përfundimin e procesit të ankimit ose veprimeve të Gjykatës Administrative të Apelit.”

Vendimi i sotëm i hapi rrugën vazhdimit të garës për Prokuror të Përgjithshëm. KLP do të miratojë së shpejti metodologjinë për vlerësimin e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm dhe do të zhvillojë intervistat me secilin prej kandidatëve.

Në fund të procesit KLP rendit kandidatët në bazë të pikëve që ata marrin dhe kjo listë i dërgohet Kuvendit. Kuvendi  zgjedh një nga kandidatët me 3/5 e votave ose me 84 vota. Në rast se nuk arrihet kjo shumicë, i pari në listën e kandidatëve emërohet automatikisht.

Në garë për vendin e Prokurorit të Përgjithshëm janë Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

Siç e kemi përmendur dhe në një artikull të mëparshëm burime për Exit.al bëjnë të ditur se zonja Marku do të renditet e para në vlerësimin që do të bëjë KLP.

Në këtë mënyrë, nëse nuk arrin të marrë 3/5 e votave në parlament, ajo do të emërohet automatikisht si Prokurore e Përgjithshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>