Zhvillimi ekonomik gjatë periudhës komuniste

Nga Endrit Yzeiraj
Zhvillimi ekonomik gjatë periudhës komuniste

Në debatin publik është rikthyer një pyetje që nuk zhduket kollaj: a u zhvillua ekonomikisht Shqipëria gjatë periudhës komuniste, dhe, nëse po, a është ky zhvillim një justifikim i krimeve të kryera gjatë asaj periudhe?

Një vështrim i thjeshtë statistikor na tregon se ky është një debat i kotë. Shqipëria jo vetëm nuk u zhvillua, por hendeku mes saj dhe vendeve më të avancuara të botës vetëm u thellua.

Për të kuptuar nivelin e zhvillimit të një vendi, ekonomistët përdorin dy tregues kryesor.

I pari, më i njohuri, është të ardhurat për frymë. Por nëse duam të kuptojmë se si vendi po zhvillohet në krahasim me tendencat botërore apo vendet fqinje, duhet një vlerë krahasuese.

Për këtë, ekonomistët zakonisht përdorin krahasimin me një vend të zhvilluar, si p.sh SHBA ose BE.

Pra, krahasojnë të ardhurat për frymë të një vendi në zhvillim në raport me ato të vendeve më të përparuara të botës.

Intuitivisht, është e thjeshtë të kuptohet pse kryhet ky krahasim. Teknologjia dhe inovacioni përparojnë me kalimin e kohës në tërë botën.

Vendet e para që e përqafojnë janë zakonisht vendet e zhvilluara (si SHBA ose vendet e BE). Vendet në zhvillim, si Shqipëria, përfitojnë vetëm duke qenë në gjendje të thithin sa më shumë zhvillimin dhe inovacionin që shpiket gjetkë.

Këto vende zhvillohen kur janë në gjendje të ngushtojnë hendekun me vendet e zhvilluara.

A është e mundur të krahasojmë nivelin e zhvillimit e zhvillimit relativ të Shqipërisë përgjatë historisë së saj, e sidomos gjatë periudhës komuniste?

Fatmirësisht, sot ka disa burime historiko-statistikore që na e lejojnë këtë. Tabelat e Angus Maddison janë burimi që përdorin shumica e historianëve të ekonomisë për studime mbi zhvillimet afatgjata.

Ato janë fryt i një bashkëpunimi shumë-vjeçar mes dhjetëra institucionesh e kërkuesish.

Po ashtu, ka dhe burime të tjera të ngjashme si Penn World Tables ose ato të prodhura nga Bolt dhe Van Zenden (2015). Për rastin e Shqipërisë, të dhënat janë ta ngjashme mes burimeve të ndryshme.

Të dhënat nga Maddison për të ardhurat për frymë në Shqipëri shfaqen në Figurën 1[1]. Të dhënat e para janë nga viti 1870.

Për shumë nga vendet e rajonit këto të dhëna janë rezultat i një pune kërkimore të bankave qendrore duke përdorur arkivat e taksave të periudhës otomane.

Të dhënat vazhdojnë në mënyrë jo-periodike për vitet 1890, 1900, 1910, 1913, 1929. Duke filluar nga viti 1950, të dhënat janë të rregullta.

image
Figura 1 – Të ardhurat për frymë në Shqipëri

Të dhënat për Shqipërinë tregojnë një histori me të paktën 4 faza kryesore.

Para Luftës së Dytë Botërore vendi zhvillohej me një hap të ngadaltë.

Pas luftës, periudha 1950-1970 sheh një zhvillim ndjeshëm më të shpejtë se në të shkuarën. Zakonisht, është kjo periudha që përdoret për të justifikuar “zhvillimin komunist”.

Pas vitit 1970 fillon një stanjacion i gjatë që përfundon me një krizë të thellë në fund të viteve ’80.

Pas rrëzimit të komunizmit, Shqipëria kalon disa luhatje por ritmi i zhvillimit është shumë më i shpejtë dhe vendi përparon me hapa gjigand në krahasim me të shkuarën.

Por si krahasohet ky zhvillimet me trendet e tjera botërore? A po zhvillohej Shqipëria sepse po zhvillohej teknologjia kudo, dhe ajo po përfitonte? Apo Shqipëria po arrinte të mbyllte dhe hendekun me vendet e zhvilluara, sidomos gjatë periudhës komuniste?

Për këtë, në Figurën 2 shfaqet raporti i të ardhurave për frymë në Shqipëri krahasuar me vendet e EU-15[2] (15 vendet që shpesh konsiderohen si Evropa Perëndimore dhe që përfaqësojnë një nga dy blloqet më të përparuara të botës).

image
Figura 2 – Raporti i të ardhurave për frymë mes Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore, EU15

Siç mund të shihet qartë, hendeku mes vendeve të zhvilluara dhe Shqipërisë vetëm sa u thellua gjatë periudhës komuniste. Të ardhurat për frymë në Shqipëri në vitin 1950 ishin sa 21% e mesatares së Evropës Perëndimore. Ato vazhduan të ulen përgjatë gjithë periudhës komuniste dhe arritën nivelin e 15% në 1989. Megjithëse një vend i varfër dhe i prapambetur që përpara luftës, Shqipëria u izolua dhe u varfërua dhe më shumë në krahasim me zhvillimet botërore. Vetëm sot, Shqipëria po arrin një nivel të krahasueshëm me atë të viteve ’20, ku të ardhurat për frymë janë pak më shumë se çereku i të ardhura për frymë në Evropën Perëndimore.

Krahasim me vendet të ngjashme

Ky krahasim bëhet akoma më i rëndë nëse konsiderohen dhe vende të tjera të rajonit apo të Evropës Lindore. Figura 3 krahason këtë raport me Greqinë, vendet e ish-Jugosllavisë (duke llogaritur mesataren e tyre pas ndarjes), dhe Poloninë si përfaqësuese e Evropës Qendrore.

image
Figura 3: Raporti i të ardhurave për frymë i Shqipërisë, Jugosllavisë, Greqisë dhe Polonisë

Pas luftës, Greqia[3] dhe ish-Jugosllavia arritën të ngushtonin hendekun e tyre me vendet e Evropës Perëndimore. E para si pasojë e një sistemi kapitalist, e dyta si pasojë e një sistemi komunist por shumë më të hapur.

Nga ana tjetër, Polonia, pjesë e një grupi vendesh në Evropën Qendrore që kishin përjetuar zhvillim të shpejtë industrial që përpara luftës, filloi të humbiste terren. Megjithëse në nivel më të lartë se Shqipëria, edhe Polonia vazhdoi të varfërohej në krahasim me vendet perëndimore.

Si përfundim, është e qartë që Shqipëria nuk u zhvillua gjatë periudhës komuniste. Ajo nuk ishte në gjendje të përqafonte në kohë inovacionin industrial dhe teknologjik që po ndodhte në vende të tjera të botës.

Për këtë arsye, hendeku mes saj dhe vendeve të zhvilluara vetëm sa u thellua. Vendet e tjera të rajonit si Greqia dhe ish-Jugosllavia, të cilat ishin në pozicione të krahasueshme me ne pas luftës, u zhvilluan shumë më shpejt.

Jo vetëm që krimet njerëzore të komunizmit nuk mund të harrohen kurrë, por nuk ka asnjë tregues ekonomik që mund të përdoret si alibi për to.


[1] Maddison përdor GDP reale për frymë, të axhustuar për fuqinë blerëse (PPP-adjusted) me 2010 si vit bazë për deflatorin.

[2] Në literaturë zakonisht krahasimet bëhen me SHBA. Kjo pasi SHBA konsiderohen si vend edhe më i zhvilluar dhe më të aftë në inovacionin teknologjik. Po ashtu, është më e thjeshtë krahasimi me një vend se sa me një mesatare të disa vendeve.

Por në raport me vendet evropiane, për periudhën e viteve të para pas luftës, krahasimi është pak problematik. Kjo pasi thuajse të gjithë vendet evropiane pësuan një rritje më të shpejtë se normalja si pasojë e rindërtimit të dëmeve. Duke qenë se kjo periudhë është në fokusin e këtij diskutimi, krahasimi u krye me vende që po kalonin po ashtu në një cikël rindërtimi.

[3] Greqia ka luhatje të mëdha në të dhënat e para-luftës për shkak të zhvlerësimeve të shpeshta të monedhës dhe problemeve që shkaktonin në inflacion. Kriza e 2011 nuk ishte hera e parë që shteti grek përballej me paaftësinë paguese të borxheve.

Artikullin mund ta lexoni edhe në ekon.al.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme