Zjarret kërcënojnë pyjet në Devoll, Bulqizë e Kukës, situatë e rëndë edhe në Rugovë të Kosovës

Nga Gerard Gega
Zjarret kërcënojnë pyjet në Devoll, Bulqizë e Kukës, situatë e rëndë edhe në Rugovë të Kosovës

Mungesa e gjatë e reshjeve dhe zjarrvëniet e qëllimshme kanë shkaktuar ditët e fundit zjarre të mëdha në Shqipëri dhe Kosovë.

Që prej së premtes, autoritetet kosovare po përballen me zjarre të mëdha në zonën pyjore të Rugovës në Pejë. Zjarri nisi fillimisht në pyjet e fshatit Stankaj. Mediat kosovare raportuan në fundjavë më shumë se 2 hektarë pyje të djegura. Agjencia kosovare e mbrojtjes së mjedisit u bëri sot thirrje vizitorëve në parqet kombëtare që “të mos ndezin zjarre”.

Ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri zjarret kanë qenë të shumta ditët e fundit.

Në Devoll, në fshatin Nikolicë, gazetarja Lorena Kodra raportoi për News 24 se “prej së dielës një zjarr i madh ka përfshirë pyjet afër fshatit”. Dhjetëra zjarrëfikës, ushtarë dhe punonjës bashkiakë janë munduar të shuajnë flakët, por terreni malor ua ka vështirësuar punën. Sipas gazetares Kodra, zjarri dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm.

Zjarr i qëllimshëm dyshohet të jetë vënë edhe në fshatin Koçaj të Bulqizës. Flakët kanë përfshirë masivin pyjor drejt Balgjajt ku shtrihen rreth 50 hektarë dushqe dhe ah.

Të dielën edhe në Kukës u sinjalizuan vatra zjarri. Pylli me mbi 4 hektarë pisha të zeza në Shkinak, pjesë e parkut Korab-Koritnik u kërcënua seriozisht nga flakët, por sipas raportimeve nga zona, Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka mundur që bashkë me banorët të izolojë dhe shuajë flakët. Sipas verifikimeve në terren “nuk ka patur dëme të drurëve pyjorë”.

LEXO  Tetë vatra zjarri në 24 orë, digjen dhjetëra hektarë tokë

Zjarret e fundit janë të ngjashme me situatën e gushtit. Sipas monitorimeve satelitore rreth 62 sinjalizime zjarri u regjistruan vetëm javën e fundit. Sinjalizimet satelitore pikasin anomali termike, të cilat jo gjithmonë janë zjarre, por që përgjithësisht (93%) në zonat jo-urbane janë.

Në 15 ditët e para të gushtit sinjalizimet ishin rreth 120, ndërsa në muajin mars vendi u përball me një situatë edhe më të rënduar. Mbi 800 sinjalizime zjarresh u raportuan në 31 ditë. Autoritetet ngritën pretendimet se zjarret ishin të qëllimshme, por ende nuk ka një raport se sa ishin të arrestuarit dhe sa prej tyre u dënuan.

Ligji e klasifikon zjarrvënien me dashje shkelje penale dhe sipas Nenit 206/1dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet. Në varësi të gjendjes, shkallës së dëmtimit, kategorisë së tokës dhe rrezikut që shkakton, ky dënim mund të rëndohet deri në 20 vite burg. Sipas Monitor, me ndryshime ligjore, janë propozuar gjoba edhe më të rënda për ata që dëmtojnë pyjet, por deri më sot fakti ka treguar se ligjet nuk mjaftojnë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), prej vitit 2016, megjithëse në moratorium, vendi ka humbur 378 hektarë pyje.

Lajme te ngjashme

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>