Këshilli i Lartë i Shtetit ka kërkuar sot anulimin e menjëhershëm të koncesionit 99 vjeçar të zonës ekonomike të Spitallës, pasi dyshohet se fituesi është përzgjedhur jo në bazë të ligjit.
Sipas raportit të auditimit të KLSH-së, janë gjetur një sërë shkeljesh ligjore në procesin e vlerësimit të ofertave, duke bërë që Ministria e Ekonomisë të ketë shpallur fitues ofertuesin e gabuar:
“Nga auditimi […] u konstatua se vlerësimet individuale, të kryera nga specialistët e fushës për kriteret respektive, nuk janë marrë në konsideratë nga KVO (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave), duke ndryshuar padrejtësisht edhe rezultatin përfundimtar të operatorëve ekonomikë konkurrues.
KLSH ka rekomanduar marrjen e masave për anulimin e shpalljes fitues të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Ofertuesi 2”, pasi nga auditimi ka rezultuar që si fitues duhet të ishte shpallur operatori tjetër ekonomik “Ofertuesi 1” në ofertën e të cilit parashikohej një investim prej 54 milionë euro dhe punësimi i 9,500 punonjësve më tepër se bashkimi i operatorëve i klasifikuar në mënyrë të padrejtë në vend të pare.”
Bashkë me kërkesën për anulimin të koncesionit, KLSH ka kërkuar dhe hetimin e gjashtë anëtarëve të KVO-së për vendimin e marrë.
Fituesi i koncesionit për ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (ZTZHE) të Spitallës, në Durrës, u shpall nga Ministria e Ekonomisë në gusht 2017.
Kompania fituese ishte konsorciumi i kompanive “Pelikan” shpk, “The Best Construction” shpk dhe “Vëllezërit Hysa” shpk.
Ky konsorcium parashikohet të përfitojë nga taksa preferenciale, dhe sipas planit, duhet të ndërtojë një fabrikë për pasurimin e ferro-kromit, një investim prej 39 milionë eurosh që mund të punësojë deri në 2500 punonjës.
Zona e lirë ekonomike ka një sipërfaqe prej 101 hektarë dhe jepet për 99 vjet me një qira simbolike prej 1 euro.