Pak javë më parë, publikova një shkrim mbi “zonat e transformimit” të propozuara në Masterplanin Tirana030, i cili ka për qëllim privatizimin e disa zonave të Tiranës, duke ia “servirur” ato agjencive të mëdha të pronave. Kjo do të ketë padyshim pasoja të mëdha, sidomos për njerëzit që banojnë në këto zona.
Këtu do të përpiqem të sqaroj disa nga planet e hartuara nga bashkia dhe të shohim se çfarë do të ndodhë me banorët në këto zona të “transformuara” apo “zhvilluara”.
Për fat të keq, masterplani nuk është i plotë — pjesa më e madhe e planeve të hartuara për zonat e transformuara mungojnë.
Zonat e rrethuara me vijë kafe, në figurën e mëposhtme, janë zonat në Tiranë të përcaktura si “zonat e transformimit”. Sipas masterplanit, këto zona do të transformohen përmes procesit të tenderimit të drejtuar nga qeveria:
1. Tenderimi
Për të favorizuar kontrollin e propozimeve të ndryshme, për të përmirësuar ofertën në mënyrë cilësore dhe për të konfirmuar cilësinë e projektit, Plani i Përgjithshëm Vendor, parashikon që ndërhyrjet në zonat e transformimit të jenë objekte të procedurave të tenderimit që japin të drejta të përfitimit volumetrik sikundër është përcaktuar në Rregulloren e Planit.
2. Bonus zhvillimi sipas një vlerësimi të cilësisë që duhet të kryhet bazuar në një tabele të përcaktuar në Rregulloren e Planit.
Edhe pse e shkruar me një shqipe pa kuptim dhe aspak të qartë, qëllimi kuptohet lehtë. Zonat e transformimit do t’i tenderohen kompanive që do kenë interes të nxjerrin fitime nga to. Disa kompani, pa dyshim “të afërta e miqësore” me qeverinë, do të përfitojnë edhe nga “bonuset e zhvillimit”.
Po të krahasojmë vlerën e madhe të këtyre tenderave apo PPP-ve, ndërhyrjet në sheshin Skënderbej apo në Stadiumin Kombëtar Qemal Stafa duken shumë të vogla dhe të papërfillshme. Qeveria ka vendosur t’i japë bizneseve blloqe banimi dhe lagje të tëra në Tiranë.
Duke qenë se të gjithë mekanizmat e mbikëqyrjes në Shqipëri për parandalimin e veprimtarive ë paligjshme të kompanive të ndërtimit kanë dështuar, duket e pamundur që bashkia të zbatojë procedura të rregullta për këto projekte.
Më poshtë janë të gjitha zonat e parashikuara për t’u transformuar sipas Masterplanit Tirana30. Të gjitha këto zona do të tenderohen për rizhvillim gjatë viteve të ardhshme.
Në planet më poshtë:
- Vija e trashë e kuqe: kufijtë e zonës së transformimit
- Territori me të verdhë: ndërtesat ekzistuese që do të ruhen
- Territori me portokalli të errët: ndërtesat ekzistuese që do të “zhvillohen”
(Për më shumë detaje, shkarko planin dhe shiko nga faqja 170 e më tej)
Farka
Lapraka
Universiteti i Kamzës
Kombinat
Misto Mame
Ashtu sikurse mund të kuptoni nga pesë hartat e paraqitura, projektet e rizhvillimit urban do të kenë pasoja të shtrira kudo nëpër Tiranë. Në të gjitha rastet, një pjesë e konsiderueshme e ndërtesave të ekzistuese do të prishen ose rindërtohen.
Vini re! Masterplani Tirana 2030 jep vetëm një pasqyrë të pesë projekteve rizhvilluese, atë të Farkës, Kamzës, Laprakës, Kombinatit dhe Misto Mames. Dhjetë projektet e tjera, përfshirë edhe zgjatimin e Bulevardit, pjesa ndërmjet Sheshit Skënderbej deri në Universitetin e Tiranës, një pjesë e madhe e Parkut të Liqenit, zonat në afërsi të Stadiumit Kombëtar, Spitalit Nënë Tereza dhe Akademisë Ushtarake nuk janë specifikuar, edhe pse ato tashmë janë hartuar për tenderim.
Me të drejtë mund të pyesni: Si është e mundur që Këshilli Bashkiak ka miratuar tenderimin e pjesës më të madhe të Tiranës pa bërë publik asnjë lloj informacioni se çfarë do të bëhet në to?
Përgjigjia është po, mund ta bëjnë. Sepse për ta nuk ka asnjë rëndësi mendimi i qytetarit të thjeshtë.