Tregu i fruta-perimeve në lagjen time: propaganda urbane që po ju nxin jetën qytetarëve

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Tregu i fruta-perimeve në lagjen time: propaganda urbane që po ju nxin jetën qytetarëve

Zonja e Fruta-Perimeve

Që kur kam ardhur të jetoj në Tiranë, saktësisht gjashtë vite më parë, gjithmonë i kam blerë frutat dhe perimet tek e njëjta zonjë, e cila ka një dyqan të vogël në rrugën përballë shtëpisë time, ndërmjet shkollës së Baletit dhe “tregut elektrik”.

Tezga është ndërtuar nga vetë zonja dhe familja e saj, me dru të mbetur, shufra metali dhe plastike. Ka edhe disa tezga të tjera të radhitura njëra pas tjetrës të cilat shesin ushqime dhe sende shtëpiake dhe në rrugë fshatarë nga zonat përqark Tiranës shesin qumësht,vezë, raki e mjaltë.

Ky ishte një ekosistem i vogël informal, por i cili funksiononte. Megjithëse tezga e zonjës time ishte teknikisht ndërtim i paligjshëm, ajo i paguante qera pronarit të tokës dhe bashkisë, si dhe i shërbente komunitetit me produktet e saj të freskëta.

Zonja jeton me familjen e saj në një apartament aty afër, në një hapësirë të vogël në katin e parë dhe kursente sa mundte për të shkolluar fëmijët e saj. Djali i saj i madh studion për mjekësi, një kapërcim i madh shoqëror për të.

Dhe vjen kryebashkiaku i ri

Në vitin 2015, Erion Veliaj fitoi zgjedhjet për Kryebashkiakun e Tiranës dhe çdo gjë ndryshoi. Lufta  tij e fortë kundër informalitetit shkoi deri aty sa preku shtresën e varfër të shoqërisë, duke i marrë me forcë komunitetit rom kasollet e tyre “të  paligjshme”, shitësve ambulantë burimin e tyre të vetëm të të ardhurave, përfshi tezgën e zonjës time të frutave.

Në pranverën e vitit 2016, ekskavatorët e Inspektoriatit të Ndërtimit e sheshuan radhën me tezga nën justifikimin se bashkia do të ndërtonte një ”treg të ri” pak më poshtë rrugës, ku të gjithë shitësit “e paligjshëm”ambulantë të mund të gjenin një mjedis “më të përshtatshëm” për të shitur produktet e tyre.

Policia bashkiake organizoi disa sulme nëpër rrugët e Tiranës, ku konfiskonte produktet e shitësve ambulantë, nëse ato nuk paguanin gjobat për mos paisje me numër NIPT.

Dhe unë pyes: Ju Kryebashkiaku Veliaj që shkatërruat tezgat e paligjshme të fruta-perimeve dhe gjëmuat nga pas fshatarët të cilët shisnin mollë dhe karrota, ku mendoni ju se duhet të blej unë fruta-perime? Mos ndoshta në supermarket?

Fruta e perime te konfiskuara nga policia bashkiake, 24 shtator 2016 - Foto: Exit.al
Fruta e perime te konfiskuara nga policia bashkiake, 24 shtator 2016 (Foto: Exit.al)

Tenderi

Tenderi për ndërtimin e tregut të fruta–perimeve u hap më 21 prill 2016, me fond limit prej 33 mijë euro. Tre ditë më vonë, bashkia hapi tenderin për mbikqyrjen e projektit të ndërtimit, me fond limit 800 euro, të dyja kontratat me kohëzgjatje prej dy dy muajsh pas firmosjes së kontratës.

Kontrata u fitua nga kompania Neal 86 shpk Sarandë me ofertë 27 mijë euro. Në fillim, kompania Neal 86 shpk u skualifua, por ajo paraqiti një ankesë zyrtare në Komisionin e Prokurimeve Publike. Ankesa e saj u pranua dhe komisioni vendosi më 14 qershor se skualifikimi i kompanisë nga tenderi ishte i pajustifikuar. Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike të datës 4 korrik 2016, kompania Neal 86 u shpall fituese e tenderit.

Kontrata ndërmjet bashkisë dhe kompanisë u lidh më 8 korrik 2016. Sipas kontratës, punimet duhet të përfundonin më 8 shtator 2016, dhe tregu duhet të fillonte punë më 23 dhjetor.

Ndërsa kontrata për mbikëqyrjen e punimeve u fitua nga kompania Zenit-06 shpk, me ofertë 400 euro, sa gjysma e fondit limit. Por sikurse kuptohet ato nuk kanë bërë asnjë punë.

Ndërtimi i tregut të fruta–perimeve

Tabela per ndertimin e tregut, 20 korrik 2016 - Foto: Exit.al
Tabela pr ndertimin e tregut, 20 korrik 2016 – Foto: Exit.al

Raporti teknik i cili shoqëron tenderin përshkruan kushtet në të cilat supozohet se kompania Neal 86 do të ndërtonte tregun. Më poshtë pikat kryesore të këtij raporti:

Pjesa e tezgave është parashikuar të mbulohet me tendë me hapje-mbyllje manuale me krah alumini dhe mbulesë të padëpërtueshme nga uji.

Hapja dhe mbyllja e mbulesës do të mundësojë një djellëzim më të mirë të pjesës ku kryhet tregtimi e cila do të përmirësojë kushtet e punës për tregtarët dhe kënaqësinë për qytetarët, në veçanti në muajt e dimrit.

Tezgat do të jenë me strukturë metalike të mbuluara me llamarinë të zinkuar në pjesën e sipërme dhe të veshura me dru dekorativ në krahun e klientit.

Gjithashtu dhe kollonat metalike të tendave do të vishen me të njejtin dru dekorativ.

Në hapësirën e gjelbëruar do të ndërtohen puseta të lidhura me rrjetin e furnizimit me ujë të cilat do të shërbejnë tregtareve për tu furnizuar me ujë dhe për larjen e sheshit pas përfundimit të punës.

Ndriçimi do të realizohet me ndiçues Hydro T8 fl 2x36W të cilët do të jenë të montuar në strukturën metalike të tendes. Gjithashtu në çdo grup tezgash do të vendosen priza të përshtatshme për ambientet e jashtme, të cilat do të mundësojnë furnizimin me energji elektrike për tregtarët.

Fillimisht dukej se puna po vazhdonte sipas planit. Kollonat metalike u vendosën dhe strukturat e tendave u instaluan. Nuk e kuptoja mirë se si ky ndërtim do të mbronte shitësit nga shiu dhe era në dimër, apo ta bënte tregun më të pastër – aty kishte hapësira të mëdha ndërmjet tendave, dhe tregu ishte tërësisht i hapur dhe i pambrojtur nga të gjitha anët, nga pluhuri dhe pisllëku që vinte nga rruga.

Tezgat e tregut te ri, ndertuar ne menyre te gabuar - Foto: Exit.al
Tezgat e tregut te ri, ndertuar ne menyre te gabuar – Foto: Exit.al

Më pas papritur puna u ndërpre deri në muajin tetor kur disa punëtorë rifilluan të ndërtonin tezgat. Sipas kontratës, i gjithë ndërtimi duhet të kishte përfunduar më 4 shtator. Pra, kompania Neal 86 shpk e kishte shkelur kontratën, ndërsa shitësit ambulantë ishin ende të papunë e të detyruar nga qeverisja vendore të braktisnin burimin e tyre të vetëm të të ardhurave.

Vura re se punëtoret po i ndërtonin tezgat në mënyrë të gabuar, me pjesën e sipërme që anonte për nga brenda (ç’ka bën që shiu të pikojë brenda tezgës) e jo për nga jashtë. As kolonat nuk ishin bërë me dru dekorativ.

Por, sërish për disa javë punimet ndaluan. Më pas, një ditë pashë disa punëtorë që po hiqnin pjesën e sipërme të tendave dhe po e vinin në mënyrë horizontale, sërish të anuar për nga brenda.

Gjithsesi, ekzekutimi i gabuar i projektit të ndërtimit nuk është teknikisht faji i kompanisë Neal 86 shpk dhe as e drejtueses teknike Albana Godaj, por e bashkisë, e cila nuk siguroi instruksionet e duhura për ndërtimin dhe orientimin e tezgave, duke lënë hapësira për gabime të tilla.

 Përfundimi

Teksa po kthehesha nga puna më 23 dhjetor, vura re se zonja ime e frutave, e privuar prej 7 muajsh nga të ardhurat  e saj, kishte hapur sërish tezgën e saj, në “tregun e ri”. U gëzova për të dhe e urova. Më tregoi se i ishte dashur të paguante në bashki 50 mijë lekë (rreth 370 euro) për të marrë lejen për të hapur tezgën. Kjo pagesë dhe 7 muajt pa asnjë të ardhur do të thotë se gjithë kursimet e saj kishin mbaruar.

E pyeta për ndërtimin e tezgave. Zonja më tha se në fillim, kur pjesa e sipërme e tezgave ishte montuar gabim, shitësit ishin ankuar në bashki. Reagimi i parë i bashkisë ishte se: “ju keni shumë pretendime.” Më pas, me sa duket e kishin kuptuar se largimi i konsumatorëve nga tezgat që fusnin ujin mbi produkte nuk do ta ndihmonte imazhin e rinovimit urban që Kryebashkiaku Veliaj kishte projektuar. Ndërkohë dritat në treg ende nuk punonin dhe zonat e quajtura “jeshile” janë thjeshtë disa rripa me bar, në dukje i mjeruar, baltë e plehra.

Le ta bëjmë dhe një herë të qartë: zonja e frutave nuk i humbi kursimet e saj duke luajtur kumar apo duke pirë. Ajo nuk i shpenzoi kursimet për të blerë një Mercedes të ri të zi, me xhamat e zinjt. Ajo i humbi kursimet e saj sepse bashkia shkatërroi të vetmin burim të të ardhurave për familjen e saj. Teksa i premtoi kushte më të mira, ajo dështoi t’i sigurojë ato në kohë dhe në mënyrën e duhur. E si qershi mbi tortë, zonjës ju desh të paguante 50 mijë lek për tu rikthyer në treg.

E dini se ç’më tha tjetër zonja? Bashkia ende nuk kishte vendosur për qeranë që secili prej shitësve duhet të paguante. Tregtarët ishin thirrur në treg sepse kryebashkiaku do ta përuronte së shpejti atë.

Megjithë propagandën, qeverisja aktuale vendore po ja vështirëson akoma më tepër punën e vështirë të shumë tregtarëve, me një sens të gabuar “formalizimi të tregut”. Me pretekstin e “përmirësimit”, jeta e familjeve të këtyre shitësve, të detyruar të braktisin punën si pasojë e “informalitetit” apo “evazionit fiskal”, është kthyer në një ferr të vërtetë. Ndërkohë, kantierët e ndërtimit të hapur në gjithë qytetin dhe deficiti buxhetor publik është disa miliarda herë më i lartë se deficiti buxhetor i shkaktuar nga shitja “e paligjshme” e një domateje.

Sapo të fillojë shiu, jam i sigurtë se shitësit në tregun “e ri”, “formal” dhe “higjenik” do të duhet të gjejnë vetë një mënyrë për të mbrojtur veten dhe produktet nga shiu e era. Do të venë mbulesa plastike dhe mbrojtëse nga era. Në fillim të përkohëshme, e më pas të përhershme. Shitësit nuk do ta bëjnë këtë sepse duan, por sepse kanë nevojë – sepse qeveria, me marrëzi e pakujdësinë më të madhe, ka shpenzuar 33 mijë euro nga paratë publike për të ofruar një shërbim që askujt si nevojitet. E duke bërë këtë, qeveria e bëri jetën e shitësve ambulantë akoma më shumë të mjerueshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>