Zoti President,
Më tërhoqi vëmendjen përzgjedhja jashtëzakonisht e pamenduar e terminologjisë që ju përdorët në fjalimin tuaj të së shtunës pasdite, ku përsëritët disa herë se bëhej fjalë për një “krim lufte” që ishte kryer nga një “ushtri terroriste”. Ju thatë fjalë për fjalë:
“Ajo që ndodhi dje në Paris dhe në Saint Denis, afër Stade de France, është një akt lufte, dhe përballë luftës shteti duhet të marr vendimet e duhura. Është një akt lufte që u krye nga një ushtri terroristësh, Daech, është një ushtri terroristësh, kundër Francës, kundër vlerave që ne mbrojmë kudo në botë, kundër asaj që ne jemi, një vend i lirë që i flet me këto vlera gjithë planetit. Ky është një akt lufte që u përgatit, organizua, planifikua jashtë Francës, por që ka patur bashkëpunëtorë edhe brenda saj, por këto do t’i zbulojë hetimi. Ky është një akt barbarie absolute.”
Nëse përqendrohemi tërësisht tek fraza e fundit, vërejmë se pjesa tjetër e fjalimit tuaj është përsëritja e ankthshme dhe thuajse fjalë për fjalë e asaj që G. W. Bush tha përpara Kongresit amerikan pak pas atentateve të 11 shtatorit: “Armiqtë e lirisë, kryen një akt lufte kundër vendit tonë.”
Pasojat e këtyre fjalëve historike janë të njohura. Një kryetar shteti që e cilëson një ngjarje si akt lufte duhet të reagojë dhe të përgjigjet me goditje pas një goditjeje. Pikërisht, kjo logjikë e çoi Bushin në pushtimin e Afganistanit—gjë që u pranua për arsye se regjimi i atjeshëm i kishte dhënë strehim Al Qaedas dhe ndërhyrja u miratua nga OKB-ja.
Pas kësaj, erdhi pushtimi tërësisht i pa menduar i Irakut, madje pa marrë as mandat nga OKB-ja; pushtim për arsyen e vetme se Shtetet e Bashkuara dyshonin se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë. Gabuan, nuk u vërtetua, por pushtimi shkaktoi dhe çoi në destabilizimin e gjithë rajonit, destabilitet që vazhdon të mbartet deri në ditët e sotme.
Ikja nga Iraku i trupave amerikane në vitin 2011 la pas një hendek pushteti.
Më pas, në ngjarjet e Pranverës arabe, shpërtheu lufta civile në vendin fqinjë. Kështu, në veri-lindje të Irakut tashmë të çrrënjosur dhe pjesës lindore të Sirisë, të ndarë mes ushtrisë qeveritare dhe forcave rebele, u krijua hapësira për një aktor të tretë dhe të fuqishëm: DAECH.
Që ta themi shkurt, po të mos kishte qënë për pushtimin idiot të Bushit në Irak, sot nuk do të kishim një problem me emrin DAECH. Miliona vetë manifestuan kundër kësaj lufte në vitin 2003, unë vetë po ashtu kam marrë pjesë në manifestime—mospranimi i kësaj lufte ka qënë universal. Dhe ne kishim të drejtë. Kjo, jo se ne ishim të aftë të parashikonim të ardhmen, ne s’ishim largpamës deri në atë pikë. Por sot jemi tërësisht të vetëdijshëm që: ajo që ndodhi natën e së premtes në Paris është një rrjedhojë indirekte e retorikës së luftës që kolegu juaj Bush përdori në shtator 2011.
Po ndërkohë, ç’jeni duke bërë ju? Si po reagoni ju në më pak se 24 orë pas atentateve? Jeni duke përdorur të njëjtën terminologji si kolegu juaj i asaj kohe. Dhe me të njëjtin ton, zot i madh!
Ratë në kurth, dhe mbetët i habitur. Ju ratë në kurth, Zoti President, sepse ndjetë grahmën e nxehtë të skifterëve si Nikolas Sarkozi dhe Marine Le Pen t’ju digjte zverkun. Dhe juve, ka kohë që ju ka dalë nami se jeni i dobët. Ju ratë në kurth. Franca po përgatitet për zgjedhjet e dhjetorit—në fakt janë veçse zgjedhje rajonale, por pas këtyre atentateve ato do të marrin, pa asnjë dyshim, rëndësi të madhe nën trysninë për siguri kombëtare.
Ju ratë në kurth, sepse ju bëtë pikë për pikë atë që terroristët shpresonin që ju të bënit: një deklaratë lufte. Ju e pranuat ftesën e tyre për xhihad me entuziazëm, por përgjigjia që ju donit të komunikonit me forcë, bën që të endet rreziku i përbindshëm që e spërdredh edhe më shumë spiralen e dhunës. Kjo nuk më duket e menduar mirë.
Ju flisni për një “ushtri terroriste. “Sa për fillim, diçka e tillë nuk ekziston. Kjo është një contradictio in terminis. Një “ushtri terroriste” është njësoj sikur të praktikosh “dietë bulemike.” Shtetet dhe grupet mund të kenë ushtri; atyre s’mund t’ua ndalosh që ta formojnë. Ata, natyrisht, mund të zgjedhin që të përkrahin terrorizmin—pra aksione preçize ku ndikimi psikologjik është maksimal—në vend të një formacioni të strukturuar të forcave uhtarake me ambicie gjeopolitike.
Një ushtri thoni ju? Le të jemi të qartë, deri më tani e kemi injoruar faktin nëse autorët e ngjarjeve janë luftëtarë sirianë të ardhur apo të dërguar. Ne nuk e dimë nëse atentatet janë thurur në kalifat apo në rrethina dhe “lagje”.
Për aq sa dimë, mund të bëhet fjalë edhe për individë të pakontrolluar, sigurisht që për pjesën më të madhe të qytetarëve francezë janë të ardhur nga Siria: aty ku kanë mësuar të mbajnë armë dhe eksploziv, kanë rënë në një idelogji totalitare, kriptoteologji dhe janë familjarizuar me operacionet ushtarake. Aty janë kthyer në monstra, apo në gjithçka mund të jenë shndërruar, por ata nuk janë një ushtri.
Komunikata e DAECH glorifikonte “vendet e zgjedhura me kujdes” për atentatet, shërbimet franceze theksonin po ashtu profesionalizmin e autorëve të këtyre sulmeve—në këtë pikë, është e pamohueshme se keni folur të njëjtën gjuhë. Por ç’janë ata në të vërtetë? Tre burrat që ishin prezent në Stade de France, ku edhe ju ishit pjesëmarrës në një ndeshje miqësore përballë Gjermanisë, duket se ishin më tepër amatorë se profesionistë në këtë punë. Ata me siguri donin të penetronin me thellë për të kryer një atentat kundër jush, kjo është fort e mundshme.
Po ai që shpërtheu pranë një McDonald dhe rezultoi vetëm me një viktimë, është një terrorist i dobët. Dhe kush bën vetëm katër të vdekur nga tre atentate kamikaze, kur pak më vonë i duhet të përballet me 80 000 mijë njerëz, është dikush që s’është i mirë për asgjë. Kush do që të vrasë sa më shumë vetë në një sallë koncertesh, dhe ka vetëm katër bashkëpunëtorë dhe nuk bllokon gjatë sulmit as derën kryesore të hyrjes, nuk është një gjeni i strategjisë. Kush del nga një veturë dhe qëllon mbi qytetarë të pafajshëm, nuk është një ushtarak taktik, por një mjeran, një budalla, një pervers që natyrisht është i lidhur me të njëjtin taraf njerëzish. Natyrisht, që ekziston edhe turma e ujqëve të vetmuar.
Analiza juaj për një “ushtri terroriste” nuk është bindëse. Termi që ju përdorët “akt lufte” është jashtëzakonisht tendencioz edhe pse kjo retorikë luftarake u mor pa turp nga Mark Rutte në Holandë dhe Jan Jambon në Belgjikë. Tentativat tuaja për të qetësuar kombin francez, kërcënojnë sigurinë e botës. Rryma juaj me një fjalor energjik, nuk tregon veçse dobësi.
Ka edhe një formë tjetër për ta shprehur këmbënguljen dhe sigurinë, veç asaj të gjuhës së luftës. Menjëherë pas atentateve në Norvegji, Kryeministri Stoltenberg, u deklarua pa mëdyshje për “më shumë demokraci, më shumë hapje me vendet e huaja, më shumë pjesëmarrje”. Liria merret shpesh si referencë në diskursin tuaj, por ju mund të kishit marrë, gjithashtu, si referencë edhe dy vlera të tjera të Republikës Franceze: barazinë dhe vëllazërinë.
Me duket se në këtë moment nuk kemi nevojë për retorikën tuaj të dyshimtë mbi luftën.