Zyrtari i Komisionit Europian: Vetingu duhet të mbyllet brenda dy vitesh

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Zyrtari i Komisionit Europian: Vetingu duhet të mbyllet brenda dy vitesh

Dje në Hagë u zhvillua një takim me temë “Sfidat e sundimit të ligjit dhe perspektiva në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Instituti Asser në bashkëpunim me Fondacionin Holandez-Shqiptar.

Gjatë këtij takimi, Marc Jorna, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin (DG NEAR) deklaroi:

“Në mënyrë që sistemi i drejtësisë të funksionojë pa probleme, ne duhet ta mbyllim procesin e vetingut në dy vitet e ardhshme.”

Ai shtoi se “siç e kuptoj unë, në një të ardhme shumë të afërt do të ketë një kuorum për Gjykatën Kushtetuese dhe e njëjta gjë vlen edhe për Gjykatën [e Lartë],” por nuk specifikoi një afat kohor të mundshëm për ngritjen e dy gjykatave.

Vlerësimi i Jornas se vetingu duhet të përfundojë brenda 2 vitesh bazohet në kalendarin e vetingut të EURALIUS-it, i cili parashikon se vetingu përfundon në vitin 2021.

Në të vërtetë, në bazë të ritmit të deritanishëm të institucioneve të vetingut, do të duhen edhe 8 vjet që ai të përfundojë.

Pas pyetjeve të Exit.al, zoti Jorna pranoi se afatet kushtetuese të reformës në drejtësi janë shkelur, por se:

“nëse [reforma] merr pak më tepër kohë, le të marrë. Rezultati përfundimtar është më i rëndësishëm se sa sesa respektimi i afateve. Vlerësimi ynë është dhe mbetet, për momentin, një vlerësim shumë pozitiv.”

Ai refuzoi t’i përgjigjej një pyetjeje të Exit.al lidhur me shumë raste ku zbatimi i reformës në drejtësi ka qenë problematik dhe se çfarë mund të mësojmë nga kjo për të ardhmen.

Kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi ishte më i kujdesshëm me deklaratat e tij.

Ai iu përgjigj ish-ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri Robert Bosch, i cili e quajti takimin si një tentativë për të lobuar që parlamenti holandez të votojë pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. Bosch e pyeti Ibrahimin se kur do të themelohet Gjykata Kushtetuese dhe ky i fundit deklaroi se “ne duhet ta bëjmë atë siç duhet. Ekziston një radhë sipas së cilës emërohen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e Gjykatës së Lartë e bën shumë të vështirë këtë proces.”

Ibrahimi shprehu shqetësimin se nunri i lartë i magjistratëve të shkarkuar nga vetingu do t’i shkaktojë sistemit të drejtësisë një “sfidë afatmesme” në përpjekjen e Shqipërisë për të rinisur funksionimin e sistemit me kapacitet të plotë.

Ai propozoi dy zgjidhje për mungesën e magjistratëve të kualifikuar, përkatësisht rritjen e numrit të vendeve në Shkollën e Magjistraturës dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës, në mënyrë që çështjet gjyqësore të zgjasin më pak.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>