From: Librat e Historisë së Përbashkët
Librat e Historisë së Përbashkët me një Shtëpi të Re Dixhitale

Librat e Historisë së Përbashkët së 13 vendeve nga Europa Juglindore janë një koleksion unik i burimeve historike të përpiluara bashkërisht midis viteve 1998 dhe 2016 nga më shumë se 100 historianë dhe 300 mësues nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Rumania, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Serbia dhe Turqia.

Qëllimi i tyre kryesor është të tregojnë se çdo histori ka shumë këndvështrime, duke mbështetur të menduarit kritik dhe duke zhvilluar një kuptim se si krijohet historia. Asgjë nuk është tabu në Librat e Historisë së Përbashkët – ato përfshijnë gjithçka nga fytyra politike e diktaturës dhe represionit deri te krizat e viteve ’70 dhe ’80, dhe shpërbërja e Jugosllavisë.

Këto libra nuk kanë datë skadimi dhe duke nderuar idenë fillestare për krijimin e tyre në kuadër të Projektit të Librave të Historisë së Përbashkët, ato tani janë sërish të aksesueshme në internet dhe kanë një shtëpi të re dixhitale – faqen kryesore www.jointhistory.net, e cila ofron shkarkime falas në 9 gjuhë.

“Këto libra ishin programi kryesor i Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore (QDPEJ), një OJQ rajonale dhe e orientuar drejt ndikimit, me bazë në Selanik, e cila u përpoq të nxiste shoqëritë demokratike, pluraliste dhe paqësore në Europën Juglindore. Librat e Historisë së Përbashkët përfaqësonin një epokë të re të rishqyrtimit të historisë, duke rishqyrtuar bagazhin e paragjykimeve, mungesën e ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit. Duke i vënë sërish në dispozicion këto libra, shpresoj se ministritë do të rishprehin interesin e tyre dhe do të rekomandojnë përdorimin e tyre në shkolla”, thotë Zvezdana Kovaç, ish-drejtoreshë ekzekutive e QDPEJ-së.

Me iniciativën e Fondit Europian për Ballkanin (FEB), përmes mbështetjes për krijimin dhe mirëmbajtjen e kësaj faqeje të re interneti, këto libra tashmë janë sërish në dispozicion të publikut.

“FEB e kupton se këto libra janë një mjet i rëndësishëm jo vetëm për mësimin e historisë, por edhe për hapjen e një kulture dialogu dhe mënyrash të ndryshme të të menduarit. Librat e Historisë së Përbashkët mund të jenë një rrugëdalje nga një sistem arsimor kryesisht njëdimensional në rajonin e Europës Juglindore dhe kanë potencialin për të inkurajuar shkëmbimin rreth perspektivave dhe përvojave të ndryshme” – Aleksandra Tomanić, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondit Europian për Ballkanin.

Librat e Historisë së Përbashkët, të cilët kanë ngjallur interes të konsiderueshëm ndërkombëtar gjatë viteve, do të vazhdojnë të shërbejnë si një burim informacioni krahasues për studentët, mësuesit dhe të gjitha palët e tjera të interesuara nga të gjitha cepat e Europës Juglindore dhe më gjerë. Fondi Europian për Ballkanin është i nderuar dhe i kënaqur që i ka vënë sërish në dispozicion, duke mbështetur krijimin e bibliotekës online e cila ofron shkarkim të hapur dhe pa pagesë.

FLETË INFO

Në shifra

  • Mësuesët që morën pjesë (2000)
  • Studentët e informuar (50 000)
  • Gjuhët e përkthyera (9)
  • Shkarkimet në 2017 (74000)

 “Bërja” e historisë

Komiteti i Edukimit për Historinë i QDPEJ, i përbërë nga kontribuues nga çdo vend i rajonit, identifikoi burimet dhe përmbajtjen për prodhimin e librave, duke siguruar që të portretizohen perspektiva të shumta. Më shumë se 100 historianë dhe 300 mësues nga Europa Juglindore ishin angazhuar nga viti 1998 deri në vitin 2016 në përpilimin e këtyre gjashtë librave të punës.

Autorët ishin udhëhequr më tepër nga ideja e mbledhjes dhe prezantimit të burimeve historike dhe shumëllojshmëria e interpretimeve dhe këndvështrimeve të projektuara nga vetë burimet, se nga krijimi i një vepre historiografike. Ato në asnjë mënyrë nuk sugjerojnë objektivitetin apo vërtetësinë e burimeve. Qëllimi është thjesht të demonstrohet. Me fjalë të tjera, këto libra aplikojnë metodën krahasuese dhe qasjen multiperspektive.

Përkthyer në gjuhët e rajonit dhe më gjerë

Katër nga librat janë botuar në 12 gjuhë dhe përfshijnë periudhën nga Perandoria Osmane deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Dy librat e dytë mbulojnë Luftën e Ftohtë dhe Tranzicionin në Europë, duke përfshirë luftërat e viteve 1990, deri në 2008, dhe janë botuar në katër gjuhë. Në versionin e tyre të ri dixhital, duke klikuar në skedën me gjuhën që zgjidhni, do të drejtoheni në pasqyrën e të gjitha kopjeve dixhitale falas në gjuhën e zgjedhur.

Qëllimi kryesor ishte të tregohej se çdo histori ka shumë këndvështrime, duke mbështetur të menduarit kritik dhe duke zhvilluar një kuptim se si krijohet historia. Asgjë nuk është tabu në Librat e Historisë së Përbashkët – ato përfshijnë gjithçka nga fytyra politike e diktaturës dhe represionit deri te krizat e viteve ’70 dhe ’80, dhe shpërbërja e Jugosllavisë.

Autorët

Një kontribut të jashtëzakonshëm në prodhimin e këtyre librave kanë dhënë: themeluesi dhe iniciatori i idesë, i cili ndërroi jetë së fundi z. Costa Carras, raportues i QDPEJ në bordin për projektin e Historisë së Përbashkët dhe Prof. Christina Koulouri, koordinatore e përgjithshme dhe redaktore e serive. Për përpjekjet dhe përkushtimin e palodhshëm, mirënjohja shkon për redaktorët: Prof. Dubravka Stojanovic, Prof. Halil Berktay, Prof. Bogdan Murgescu, Dr. Mirela Luminita Murgescu, Prof. Valery Kolev, z. Kresimir Erdelja, Prof. Neven Budak, Prof. Alexei Kalionski, Prof.Niyazi Kızılyürek, Prof. Božo Repe. Vendimtare për suksesin e projektit ishin edhe përpjekjet e palodhshme të kryetarëve dhe anëtarëve të bordit të drejtorëve – Matt Nimetz, Richard Schifter, Erhard Busek, Nikos Efthymiadis, Rigas Tzelepoglou, Saso Ordanoski, Dusan Reljic, Sekcuk Erez, si dhe dy drejtorët ekzekutivë të asaj kohe, Nenad Sebek dhe Zvezdana Kovač.

Duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për qëndrueshmërinë dhe ekuilibrin, librat janë shqyrtuar dhe komentuar nga gjashtë lexues: Prof. Robert Stradling, Prof. Maria Todorova, Prof. Peter Vodopivec, Ivan Vejvoda, Prof. Andreas Demetriou dhe Prof. Florian Bieber.