Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Rama se po shpërndan pronat publike mes klientëve e miqve të tij.
Dhurata Çipi, nënkryetarja e Departamentit të Pushtetit Vendor, në një konferencë për shtyp, deklaroi se:
“Edi Rama i ka dhënë pronarit të firmës Kasel 10 mijë mëtra katrorë në mes të Durrësit, klienti që po hedh beton në mes të Parkut të Liqenit. Po i jep 52 mijë metra katrorë në mes të Elbasanit Lucës së Rozafës dhe pronat më të mira të jugut po ja jep deputetit Koço Kokëdhima. Kjo skemë korruptive shënon një tjetër kulm të babëzisë së Edi Ramës dhe oligarkëve në pushtet.”
Për të treja akuzat Zonja Çipi tregoi përpara kamerave vendimet e qeverisë.
“Ky është korrupsioni me të cilën sundon Rama: miliona euro, qindra pasuri publike të zhvatura, të plaçkitura, vjedhje në çdo drejtim, në çdo degë të qeverisë. Kjo është arsyeja se pse në Shqipëri ka pllakosur zia ekonomike, ka më pak vende punë dhe punësim, më pak konsum dhe më pak investime, ka më shumë varfëri dhe mjerim,” shtoi në fund të denoncimit Dhurata Çipi.