Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur verifikimin e të dhënave të vetëdeklaruara nga kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi. Ky lajm u bë i ditur nga Drilona Hoxha, zëdhënësja e KQZ-së, në një dalje për mediat.
Zonja Hoxha tha se strukturat e posaçme, sic i parashikon ligji i dekriminalizimit, kanë nisur punën. Përfundimet e verifikimit të formularit do t’i kalojnë sërish KQZ-së, e cila do të vendosë për heqjen e mandatit të Zotit Rroshi.
Formulari i kryebashkiakut socialist u bë publik pak ditë më parë. Ai pranoi se është hetuar dhe gjykuar për një vepër penale në Gjermani në vitet 2000, por se nuk e mban mend krimin për të cilin është akuzuar dhe as përfundimin e gjyqit.
Nëse vërtetohet se ai është dënuar nga gjykata gjermane apo edhe nga ndonjë gjykatë tjetër, Zoti Rroshi duhet të lërë postin e Kryetarit të Bashkisë.