“Edi Rama ka vendosur të thyejë ligjin, të heshtë e të mos bëjë transparencë për asnjë nga vendimet e ndërtimit të kullës dhe qendrës tregtare mbi stadium.”
Kjo ishte deklarata e deputetit e nënkryetarit të PD-së Edi Paloka, bërë sot në një konferencë për shtyp.
Zoti Paloka tha se Kryeministri Rama ka shkelur afatin ligjor për t’iu përgjigjur kërkesës së PD-së për informacion për projektin e stadiumit të ri në Tiranë.
Ai shtoi se Kryeministri Rama refuzon të japë informacion pasi projekti është bërë në mënyrë klienteliste dhe miratimi i tij është bërë në shkelje të ligjit.
Dy javë më parë, deputeti Paloka ka kërkuar, me anë të një shkrese zyrtare, projektin e KKT-së, kontratën e partneritetit publik privat dhe të gjithë dokumentet dhe procedurat e ndjekura për miratimin e projektit.