Ardian Fullani, ish guvernator i Bankës së Shqipërisë, ka kërkuar rikthimin në detyrë, përveç kompensimit në lek për dëmin shkaktuar nga heqja nga detyra.
Në seancën gjyqësore zhvilluar sot në Gjykatën Administrative, Zoti Fullani kërkoi dhe marrjen e pagës bruto si guvernator dhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës, si dhe 15 milionë lek dëmshpërblim për dëmin moral shkaktuar nga pezullimi nga detyra me vendim të Kuvendit dhe Bankës së Shqipërisë.
Çështja Fullani kundër Kuvendit e BSH-së ka nisur të shqyrtohet në Gjykatën Administrative që prej prillit. Denoncimi i Zotit Fullani u bë pas shpalljes i pafajshëm për akuzat ndaj tij për shpërdorim detyrë në dy raste: në vjedhjen e Thesarit të Bankës dhe në procedurat e blerjes së godinës së Hotel Dajtit.