Partia Demokratike akuzoi sot sërish kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri se e ndihmuan Kelmend Balilin të ngrinte industrinë e tij të trafikimit të drogës dhe më pas, të arratiset.
“Në fillim Kelmend Balili kapi transportet, pasi Edi Rama e emëroi drejtor rajonal për Sarandën. Pastaj futi nën kontroll pikat kufitare, duke caktuar përmes Tahirit, si shef të kufirit për komisariatin e Sarandës, Asim Canajn, të cilin Balili e kishte për 10 vite drejtues në biznesin e tij, në policinë private”, deklaroi Enkelejd Alibeaj, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD.
Zoti Alibeaj tha se që prej vitit 2013, Kelmend Balili transportonte drogë drejt Evropës pasi në të githë pozicionet kyçe kishte miqtë e tij.
Më pas, kur nisi aksioni i policisë greke dhe DEA-s amerikane, Kelmend Balili arriti të arratisej falë një manovre të ministrit Tahiri.
“Shefi i komisariatit të Sarandës u pezullua për një neglizhencë të vogël, dhe në krye të policisë atje, u komandua për disa ditë, pikërisht i punësuari nga Balili, Asim Canaj. Duhej disa ditë në krye të policisë së Sarandës njeriu i Balilit, për të kopsitur letrat, për të rregulluar punët, apo për të fshirë gjurmët”, shtoi Zoti Alibeaj.
Në fund ai tha se gjithnjë e më tepër po zbulohen fakte se si kryeministri Rama dhe ministri Tahiri janë të lidhur me bandat dhe kanë marrë në mbrojtje trafikantët e drogës.