Haki Çako, ish-drejtori i policisë së shtetit, ka deklaruar në prokurori se pajisja e përgjimit është përdorur për gjurmim dhe identifikim të numrave të telefonit të personave të dyshuar për krime.
Sipas ABCNews, këtë deklaratë Zoti Çako e ka bërë në 17 maj përpara prokurores Anisa Qilimi. Ish-drejtori ka përmendur emrin e Vladimir Gjutës si një prej personave që është gjurmuar nga pajisja.
Deklarata e Haki Çakos përpara prokurores bie në kundërshtim me deklaratën e tij përpara Komisionit të Sigurisë më 18 maj.
Përpara Komisionit të Sigursë, ai mohoi në mënyrë kategorike që policia të ketë pasur një pajisje përgjimi dhe ta këtë përdorur atë për përgjim apo gjurmim të telekomunikacionit.
Haki Çako u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës, dy ditë më parë, pasi akuzohet nga prokuroria se në bashkëpunim ka lejuar futjen në vend dhe përdorimin e një pajisje përgjimi të telefonave celularë, në shkelje të ligjit dhe rregullave administrative, përfshi mungesën e autorizimit nga Prokurori i Përgjithshëm.