Partia Demokratike akuzoi sot ministren e Arsimit Lindita Nikolla si përgjegjësen kryesore të skandalit të dhunës ndaj një fëmije 3 vjeçar në një kopësht të Tiranës.
“Ekzistenca e këtij kopshti privat në Tiranë, pa licensë është një shkelje e rëndë e ligjit dhe ky aktivitet nuk bëhej pa dijeninë e Ministrisë së Arsimit,” u shpreh në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa.
Ajo tha se ky skandal rëndohet më tepër kur vetë ministrja Nikolla nuk mban përgjegjësi për mungesën e kontrolleve nëpër kopshte, por fajëson prindërit për mungesë vëmendjeje.
Zonja Zhupa akuzoi zyrtarët e ministrisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse kanë pranuar rryshfet për të lejuar të punojë kopështin ku u regjistruan pamjet filmike të administratores duke ushtruar dhunë mbi një fëmijë.
Opozita i kërkoi prokurorisë të hetojë dhe të gjejë institucionet përgjegjëse që kanë lejuar aktivitetin e një institucioni për fëmijë të palicensur e të pa kontrolluar.