Vazhdojnë reshjet e dëborës në gjithë vendin

Vazhdojnë reshjet e dëborës në gjithë vendin

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në gjithë vendin.

Në qarkun e Shkodrës, disa prej zonave administrative në Dukagjin e Pult janë bllokuar e kanë mbetur pa energji elektrike. Pjesa me e madhe e rrugëve janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërsa segmentet Qafë Bordeshi – Vermosh e Bardhet – Iballë janë të bllokuara totalisht.

Po ashtu në Fushë-Arrëz ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike. Punonjësit e OSHEE-së po punojnë për zgjidhjen e tyre.

Në qarkun e Kukësit, akset rrugore janë të kalueshme, por këshillohet përdorimi i zinxhirëve. Disa fshatra në njësitë administrative Lekbibaj, Margegaj dhe Tropojë e Vjetër janë bllokuar ndërsa në njësinë administrative Malzi, disa fshatra nuk kanë energji elektrike.

Në Dibër, këshillohet që makinat të përdorin zinxhirë për të qarkulluar.

Në Lezhë, aksi rrugor Kurbnesh – Lurë është i kalueshëm me zinxhirë, ndërsa rrugët e tjera janë të hapura e të kalueshme dhe pa zinxhirë. Disa zonë në Lezhë, përveç problemeve me energjinë elektrike, kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.

Në Tiranë, aksi rrugor Qafë Priskë- Qafë Mollë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa rrugët e tjera janë të kalueshme. Në disa zona të Tiranës, ka pasur probleme me energjinë elektrike. Po ashtu, disa tuba të furnizimit me ujë të pijshëm janë çarë nga ngricat duke shkaktuar probleme në disa lagje.

Në qarkun e Elbasanit, rrugët janë pastruar nga dëbora, janë kriposur dhe qarkullimi vazhdon normalisht. E njëjta situatë është dhe në qarkun e Korçës, ku pavarësisht reshjeve e vazhdueshme të dëborës, rrugët janë të kalueshme pa zinxhirë.

Në qarkun e Vlorës, Qafa e Muzinës kalohet vetëm me zinxhirë pasi akse të saj janë me ngrica, ndërsa Qafa e Llogarasë është e kalueshme dhe pa zinxhirë.

Sipas stacionit meteorologjik, në ditët në vijim temperaturat do të rriten duke arritur deri në 8-9 gradë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>