Shumica parlamentare ka hedhur poshtë futjen në rend dite të propozimit të Partisë Demokratike për heqjen e dekoratave për ish-drejtuesit e lartë të regjimit komunist neë vend dhe funksionarët e organeve të dhunës diktatoriale. Vendimi u mor sot paradite në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve te Grupeve Parlamentare.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka u shpreh se preteksti i refuzimit ishte mos paraqitja në kohë e propozimit, të cilin PD do ta dorëzojë sot në Kuvend.
Dhjetorin e shkuar, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste paraqitën në Kuvend dy propozime të ndryshme për heqjen e medaljeve të dhëna figurave komunsite. Të dyja partitë kërkuan shqyrtimin e tyre me procedurë të përshpejtuar. Por Kuvendi vendosi t’i shqyrtojë këto kërkesa gjatë sesionit të ri parlamentar që ka filluar sot.