Deputeti i PS-së Ben Blushi akuzoi sot Kryeministrin Rama se ka marrë peng zgjedhjet e delegatëve brenda partisë.
Në një intervistë telefonike për OraNews, Zoti Blushi tha se “delegatët për në Kongresin e partisë, që duhet të zgjidhen nga anëtarësia, në fakt janë të emëruar nga kreu i PS-së Edi Rama.”
Zoti Blushi denoncoi dhe probleme të tjera lidhur me proçesin e zgjedhjeve për delegatët përfaqësues të anëtarëve të PS-së, në Kongres.
Ai tha se ka patur dhe një përplasje me deputetin Taulant Balla për gabime në listat e votuesve dhe moslajmërimin e anëtarëve për votim.
“Unë jam deputet i PS-së dhe jam njeri i panjoftuar. Kur nuk di unë se kur ka zgjedhje, si janë njoftuar të tjerët,” u shpreh ai.
Sot, zhvillohen zgjedhjet për delegatët që do të përfaqësojnë anëtarët e PS-së në Kongresin e marsit, në katër qarqe Berat, Fier, Elbasan dhe Korçe.