Prokuroria e Tiranës ka akuzuar Josef Hajsek, ish drejtorin e CEZ Albania për mashtrim gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Zoti Hajsek në bashkëpunim me Kastriot Ismailajn, administratorin e kompanisë DIA, i kanë vjedhur pesë milionë dollarë buxhetit të shtetit, me anë të skemave të mashtrimit. Ata kanë falsifikuar dokumentet duke deklaruar se kompania DIA ka mbledhur borxhet që qytetarët i detyroheshin CEZ-it, veprim i cili nuk ka ndodhur realisht.
Zoti Hajsek është lajmëruar për akuzën me anë të postës, pasi aktualisht nuk jeton në Shqipëri.
Pak ditë më parë, prokuroria kërkoi gjithashtu, sekuestrimin e llogarive bankare të Zotit Kastriot Ismailaj.