Kryetari i Partisë Demokratike Durrës, Osman Stafa kallëzoi sot në prokurori Kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako për shpërdorim të fondeve publike.
Ai i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet për rikonstruktimin e rrugës Pavarësia.
Zoti Stafa tha se bashkia ka nisur sërish punimet në rrugën Pavarësia, për rregullimin e të cilës vetëm një vit më parë janë harxhuar dy milionë dollarë. Ai shtoi se investimi i mëparshëm nuk ishte në nivelin e duhur pasi paratë nuk janë investuar për rrugën, por janë shpërdoruar nga kreu i bashkisë Dako.
“Rinisja e punimeve shumë afër çeljes së sezonit turistik do të ndikojë negativisht në turizimin e qytetit të Durrësit,” shtoi në fund të deklaratës së tij kreu i PD-së.