Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) denoncoi sot, moszbatimin e masava disiplinore ndaj punonjësve, nga ana e administratës publike.
Pak ditë më parë, KLSH bëri publike rreth 1590 rekomandime për vërëjtje apo largim nga puna për punonjës të administratës që gjatë vitit 2015 kanë kyer shkelje. Por, vetëm 50 për qind e këtyre masave janë zbatuar nga institucionet. Masat e marra deri më tani janë vetëm vërejtjet, ndërsa masat më të rrepta, si shkarkimi nga puna, nuk janë zbatuar.
“Kjo tregon se drejtuesit e lartë të institucioneve nuk po reagojnë si duhet për të ndëshkuar papërgjegjshmëritë institucionale,” shkruan KLSH në deklaratën për shtyp.
Përveç 1590 punonjësve akuzuar për shkelje të lehta, KLSH dërgoi dje në prokurori dosjen e 159 zyrtarëve të lartë, akuzuar për “shpërdorim detyre”, “falsifikime dokumentash” apo “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera e ankande publike”.