Partia Demokratike akuzoi sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po shkel ligjin e dekriminalizmit për t’i shërbyer interesave të Kryeministrit Rama.
Edi Paloka, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, tha se KQZ nuk ka publikuar formularët e vetëdeklarimit të deputetëve e zyrtarëve në internet, në faqen zyrtare të KQZ-së.
“Kuvendi i Republikës e ka urdhëruar KQZ që ta bëjë këtë publikim, por KQZ nuk e ka bërë. Shkelja e këtij urdhëri, është shërbimi që pjesa e kapur e këtij institucioni, i bën Edi Ramës dhe interesave kriminale”, tha Zoti Paloka.
Ai tha, gjithashtu, se ka skaduar dhe afati zyrtar për të bërë publike emrat e zyrtarëve që nuk e kanë bërë vetëdeklarimit. Sipas Zotit Paloka, janë rreth 40 këshilltarë bashkiakë të shumicës që po fshehin krimet e tyre.
Edi Paloka i kërkoi KQZ-së publikimin sa më të shpejtë të të gjithë formularëve dhe të emrave që nuk e kanë bërë vetëdeklarimin. Bazuar në ligjin e dekriminalizimit, ata që nuk e kanë dorëzuar formularin duhet të largohen nga detyra.