Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi sot se eurobondi prej 450 milionë euro do të përdoret për të paguar borxhin publik të vendit. Emetimi i eurobondit pak ditë me parë, sipas Canit ka dy funksione kryesore. “Së pari të zëvendësojë eurobondin e vjetër të vitit 2010 prej 300 milionë euro. Së dyti shuma e mbetur prej 150 milionë euro është e mjaftueshme, që ne të tërhiqemi nga tregu i brendshëm, për t’i lënë biznesit hapësirë për të marrë huanë e nevojshme,”- u shreh Ministri Cani.
Ai shtoi se edhe për vitin 2015 buxheti doli me defiçit, por kjo ishte e pritshme sipas tij.
“Kjo nënkupton që të ardhurat që realizojmë nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet, ndaj na duhet doemos borxh. Nuk kemi arritur asnjëherë që të dalim me suficit dhe kjo ndodh dhe me shumë vende, edhe me ato të zhvilluara. Me Eurobondin i kemi bërë të mirën e duhur financave të vendit”, tha Cani në një konferencë për shtyp.