Deputetët socialistë Ben Blushi e Mimoza Hafizi kanë nisur zyrtarisht fushatën për ndryshimin e kushtetutës në lidhje më zgjedhjen e presidentit dhe procedurën për ndryshimet kushtetuese.
Amendamenti i parë i propozuar nga dy deputetët kërkon që Presidenti i Republikës të zgjidhet me votim nga populli dhe jo më nga Kuvendi.
“Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tj. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli”, u shpreh deputetja Hafizi në një shkrim në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Ndërsa, amendamenti i dytë kërkon ndryshimin e numrit të deputetëve të nevojshëm për të bërë ndryshime kushtetuese nga 94 në 56. Ky ndryshim sipas deputetëve do të bëjë të mundur pjesëmarrjen e qytetarëve në ndryshimin e Kushtetutës.
“Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë. Sot diskutohet fort për reformën në drejtësi, por populli shiptar e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë proces. Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme,” vazhdon deklaratën e saj Zonja Hafizi.
Deri më tani nismës së tyre për amendamentet kushtetuese i janë bashkuar dhe deputetët Arta Dade e Luljeta Arapi nga PS, Eduard Selami nga PD, Agron Duka nga PAA, Dashamir Shehi nga LZHK, Nard Ndoka nga PDK, Tahir Muhedini nga PDIU dhe Vangjel Dule nga PBDNJ.
Që këto amendamente kushtetuese të futen për diskutim në parlament nevojiten firmat e 28 deputetëve.