Dosjet e Kujtesës: Historia e Nazmi Uruçit

Author Alice Taylor dhe Rezarta Caushaj
Dosjet e Kujtesës: Historia e Nazmi Uruçit

Për gati 50 vjet, Shqipëria ishte nën kthetrat e një regjimi të egër komunist, të udhëhequr nga diktatori Enver Hoxha. Gjatë asaj kohe, dhjetëra mijëra burra, gra dhe fëmijë shqiptarë u përndoqën, u burgosën dhe u vranë. Shumë të tjerë vdiqën për shkak të kushteve të tmerrshme në burgje dhe kampe pune në të gjithë vendin.

Sot, 30 vjet më vonë, ka ende mbi 6000 njerëz që rezultojnë të zhdukur. Nuk ka memoriale, nuk ka drejtësi, dhe shumë familje nuk e dinë se ku gjenden të dashurit e tyre.

Dosjet e kujtesës do të sjellin të 12 prej këtyre historive. Gjatë vitit të ardhshëm, ne do të shkojmë përtej statistikave dhe do të hedhim një vështrim se kush ishin këta njerëz, si ishin jetët e tyre, çfarë shkoi kaq keq dhe si familjet e tyre janë përpjekur të përballen me tragjedinë e humbjes së tyre.

Historia jonë e parë fillon në një ditë të nxehtë vere në një lagje të vjetër të Tiranës.

de fa b a bafb

Shtëpia, me parmakët e saj të shkëlqyeshëm dhe kopshtin e bukur të dekoruar me një mur me lule jasemini dhe një breshkë, u ndërtua në vitin 1931. Në vendin fqinj është shtëpia e Nazmi Ali Uruci, njeriu që do të jetë subjekti i intervistës së sotme.

Unë ula kokën dhe zbrita tre shkallë guri në katin e parë të ftohtë të shtëpisë. Pjesa e jashtme e shtëpisë është përfunduar në stilin Italian, tipik të periudhës, dhe pjesa e brendshme ka dysheme guri dhe tavane të ulëta, të ndara me trarë të vjetër druri. Në të majtë, gjendet një makinë qepëse e vjetër, e zezë ngjyrë smalti, dhe në të djathtën time, me shpinë nga dera, ulet Hysen Daci.

Ajri është më i freskët këtu sesa jashtë, ku kalimtarët vuajnë nën brutalitetin e diellit të mesit të verës. Drita natyrale vërshon nga një dritare e madhe dhe ndriçon tiparet e fytyrës së rrudhur të Hysenit. Në moshën 81 vjeçare, shikimi e ka lënë, por ai na përshëndet me një buzëqeshje të ngrohtë dhe një dorë të shtrirë.

Hyseni është inxhinier në pension. Lindur më 11 korrik 1940, familja e tij e ka origjinën nga Dibra e Madhe në veri të vendit. Gruaja e tij, Mimoza, është nga Shkodra, dhe ata janë bekuar me dy fëmijë. Këto ditë ata bëjnë një jetë të qetë në pjesën veriore të Tiranës, por jeta e supozuar idilike është e mbuluar nga një tragjedi e hidhur dhe një padrejtësi e madhe.

Ndërsa fillojmë intervistën, fjalët rrjedhin me kënaqësi nga goja e Hysenit. Duket sikur askush nuk e ka pyetur për historinë tragjike të familjes së tij për shumë vite. Ai fillon duke prezantuar veten dhe familjen e tij, duke folur me krenari ndërsa kujton emrat, origjinën dhe datat e tyre të lindjes.

Por kur vjen radha të përmendë emrin e Nazmiut, sjellja e tij ndryshon.

ae ac cb bea ebccd

“Një nga xhaxhallarët e mi ishte Nazmi Ali Uruçi. Ai lindi në vitin 1904 në një familje dibrane, dhe ata jetuan në Manastir të Maqedonisë për një kohë të gjatë. Por pas Luftës së Parë Botërore, Nazmiu shkoi të studionte në Liceun francez të Korçës, ku ndau një dhomë me Akil Sakiqin nga Dibra dhe Fahri Dabullën nga Gjirokastra.”

Ai vazhdon më tej duke shpjeguar se këta burra vijuan shkollën njëkohësisht me diktatorin e ardhshëm, Enver Hoxhën. Hyseni shpjegon se ka të ngjarë që ata të ishin në të njëjtën klasë, pasi Hoxha i përmend tre burrat në kujtimet e tij, duke iu referuar me emër dhe duke thënë se “përfunduan keq”.

Pasi Nazmiu mbaroi studimet, ai udhëtoi për në Francë ku studioi Stomatologji. Fatkeqësisht, studimet e tij u ndërprenë për shkak të mungesës së të ardhurave dhe ai u kthye në Shqipëri pas dy vitesh.

Ai më pas fitoi një bursë studimi në Itali dhe u ribashkua me Akilin dhe Fahriun, rastësisht, në Akademinë Ushtarake të Romës. Pasi u diplomua, fitoi gradën Toger në Guardia di Finanza dhe shërbeu në Shqipëri për shumë vite.

Nazmiu punoi si komandant kufiri në pika të ndryshme doganore, përfshirë Shkodrën, Shëngjinin, Durrësin dhe Pogradecin.

Por fatkeqësisht, shpjegon Hyseni, ishin karrierat e tyre vezulluese që do të ishin fundi i tyre.

Hysen e përshkruan atë si dikë që i donte librat me pasion, veçanërisht Dostojevskin, dhe kryeveprën e tij “Vëllezërit Karamazov”, si dhe autorët italian Leopardin, Parini, Carduccin e të tjerë. Ai shpjegon se Nazmiu ishte një njeri i qetë, shpesh i zhytur në mendime dhe ishte puritan në qasjen e tij ndaj ndershmërisë.

“Intelektuali”, siç e quan Hyseni, u fejua në vitin 1934 me një grua të re, gjithashtu nga Dibra, e quajtur Ifete Strazimiri. Ata u martuan një vit më vonë dhe në vitin 1936, lindi fëmija i tyre i parë, Afërdita. Ajo u pasua pas dy vjetësh nga një djalë, Aliu, dhe më pas në 1943 nga një tjetër djalë, Mentori.

eafb d c aacaa

Patën një martesë të lumtur. Ifetja kishte flokë të errët, sy të errët dhe lëkurë porcelani. Nazmiu kishte sy blu me qerpikë dhe vetulla të trasha dhe një kokë flokësh të mbuluar me shkurre. Një fotografi e ditës së tyre të martesës e bërë nga mjeshtri shqiptar Marubi tregon rininë dhe veshjen e shkëlqyeshme të tyre; Ifete me një fustan delikat nga Italia, Nazmiu me uniformën e tij Togeran të kompletuar me një shpatë të mbështjellë.

ccdbe adb bbfa bceadd

Hysen shpjegon se ata jetuan mirë, pasi pozicioni i Nazmiut ishte i respektuar.

“Ata jetuan në kushte të mira sepse si komandant kufiri dhe më vonë kapiten; paguhej mirë, me monedha Napoleoni ari. ”

Kjo jetesë e lumtur dhe disi e shkujdesur vazhdoi deri në tetor 1944.

E pushtuar dhe një “shtet kukull” i Italisë, nga 1944, partizanët komunistë kishin fituar kontrollin e pjesës më të madhe të Shqipërisë së Jugut. Më 29 maj, komunistët i bënë thirrje Frontit Nacionalçlirimtar të merrte pjesë në Kongresin e Përmetit, i cili zgjodhi një Këshill Antifashist të Çlirimit Kombëtar, të kryesuar nga Enver Hoxha, për të administruar dhe marr vendime për vendin.

Nga mesi i verës, komunistët kishin mundur Frontin Nacionalçlirimtar dhe kishin hyrë në Shqipërinë qendrore dhe veriore në fund të korrikut.

Një qeveri e përkohshme u formua në Berat nga komunistët dhe Enver Hoxha u emërua kryeministër në 18 Tetor 1944.

Pas formimit të kësaj qeverie, Hoxha dërgoi urdhër në Tiranë për të “rregulluar” çështjen e oficerëve të regjimit të kaluar. Kjo, shpjegon Hyseni, do të thoshte që Nazmiu dhe dy miqtë e tij, së bashku me shumë të tjerë, do të ekzekutoheshin.

Ndërkohë, Nazmiu, Akili dhe Fahriu po përgatiteshin të bashkoheshin me partizanët komunistë në Dajt, pasi ishin të vetëdijshëm se së shpejti ata do të hynin në Tiranë. Ata kishin negociuar përmes një burri të quajtur Sami Koka për të marrë imunitet dhe siguri për jetën e tyre.

Më 28 tetor, dy korrierë erdhën nga komanda komuniste në Dajt, që ushëhiqej nga Dali Ndreu dhe Mehmet Shehu.

Ndreu ishte një nga aktorët kryesor komunist, që pas rënies së regjimit është ngarkuar me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krimet komuniste duke frymëzuar, organizuar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në akte kriminale.

Shehu, i njohur për brutalitetin e tij, ishte një forcë lëvizëse pas regjimit. Ai u promovua me shpejtësi në hierarkinë e Partisë Komuniste dhe “ndau pushtetin” me Hoxhën pas Luftës së Dytë Botërore. Ai “u vetëvra” në 1981, megjithëse ka zëra të vazhdueshëm se u ekzekutua me urdhër të Hoxhës.

Të tre miqtë u shoqëruan nga korrierët, u drejtuan për në komandën e Dajtit dhe nuk u panë më kurrë.

Kjo ishte hera e fundit që familjet e tyre dëgjuan për ta. Ata kërkuan më kot deri në nëntor, dhjetor dhe më tej, duke u përpjekur të zbulonin se çfarë ndodhi me të afërmit. Edhe kur regjimi i Hoxhës u vendos në Tiranë dhe familja u bëri kërkesa organeve të administratës, e Mehmet Shehut drejtpërdrejt, nuk morën përgjigje.u

“Asnjë përgjigje e drejtëpërdrejtë nuk u mor kurrë, ata i shmangeshin pyetjeve dhe u la të kuptohej se të tre burrat u ekzekutuan. Ata janë ende të zhdukur, pas 77 vitesh,” shpjegon Hyseni me trishtim.

Nazmi ishte vetëm 40 vjeç kur vdiq. Ai la pas gruan e tij të dashur dhe tre fëmijë të moshës 8, 6 dhe 1 vjeç. Pastaj, vetëm disa muaj pas vdekjes së Nazmiut, djali i tij Aliu vuajti nga një apendesit akut, nuk mori kujdesin e duhur mjekësor dhe vdiq. Afërdita, vajza, u detyrua të braktiste shkollën dhe të gjente punë për të mbajtur familjen në moshën 14 vjeç.

Ifete filloi punë në kushte të vështira, për të siguruar jetesën e fëmijëve. Mentori arriti të përfundonte studimet e tij si inxhinier mekanik, por iu refuzua ngritja në detyrë për shkak të “biografisë së keqe”.

Një nga faktet më të forta që doli nga intervista sihte se Nazmiu u ekzekutua pavarësisht se ishte i afërm i ngushtë i gruas së Hoxhës, Nexhmije Hoxha. Babai i Nexhmijes dhe nëna e Nazmiut ishin vëlla dhe motër, një lidhje familjare jashtëzakonisht e ngushtë mes shqiptarëve.

Hyseni shpjegon se Nexhmija ishte në dijeni dhe nuk bëri asgjë. Për më tepër, kur u dha lajmi për zhdukjen e Nazmit, ajo kurrë nuk e vizitoi familjen, diçka e turpshme në traditën shqiptare. Jo vetëm që Nexhmije kishte lidhje të ngushtë me Nazmiun, por nëna e Hysenit, Fatimja, ishte kujdesur për Nexhmijen kur ajo ishte një foshnje në Manastir.

“Kur nëna ime vdiq, e vërteta është se ajo erdhi për të bërë nderimet në shtëpinë time, por për të gjitha rastet e tjera, përfshirë Nazmiun, ajo kurrë nuk erdhi. Kur babai dhe xhaxhallarët vdiqën, ajo nuk vuri këmbë në shtëpinë tonë. Ishte një heshtje e plotë nga ana e saj. ”

Në lidhje me mënyrën se si u trajtuan, Hyseni çuditërisht deklaron se nuk u përballën me shumë persekutime. Por kur ai flet për jetën gjatë atyre viteve, nuk mund të mos dyshosh se perceptimi i tij i realitetit ishte shtrembëruar dhe pothuajse, normalizuar.

“Në shtëpinë tonë, si familje e Nazmiut, shteti komunist dërgoi 14 persona të tjerë për të jetuar. Ata dërguan një familje egjiptiane me shtatë anëtarë dhe një familje tjetër nga Korça. E veja e Nazmiut mbeti me një dhomë dhe ishte banjo e përbashkët për 20 persona. Ishte tragjike nga kjo pikëpamje,” shton ai.

Hysen pohoi se familja vuante nga varfëri ekstreme që nga momenti kur Nazmi u ekzekutua dhe u përpoq të mbijetonte.

Por jeta e tyre gjatë komunizmit mund të ketë qenë shumë më keq nëse nuk do të ishte për mbrojtjen e një komunisti të quajtur Xhafer Qineti, i cili jetonte afër. Hysen shpjegoi se ai mbrojti rreth pesë ose gjashtë familje të përndjekura politike të zonës, kryesisht nga Dibra.

“Ai ishte një njeri i sinqertë; ai kishte prestigjin e të qenit komunist dhe na mbrojti shumë, aq sa mundi atëherë. Ai i mbrojti shumë familjet tona nga përndjekja. Nga gjashtë familje, tre kishin anëtarë që ishin ekzekutuar, ”shtoi ai.

Po në lidhje me kërkesën e familjes për drejtësi dhe përgjigje për fatin e Nazmiut?

“Pas rënies së regjimit komunist, Nazmiu, Fahriu dhe Akili, që patën të tre të njëjtin fund tragjik dhe të dhimbshëm, u shpallën dëshmorë të demokracisë. Emrat e tyre janë në një memorial në selinë e të përndjekurve politikë. Ata u dekoruan nga Presidenti me titullin Nderi i Kombit. Por paradoksi është, ata pranohen si viktima të terrorit komunist … por ende sot, sakrifica e tyre sublime nuk njihet. ”

Hysen shpjegoi se ende nuk ka asnjë linjë zyrtare për atë që u ka ndodhur, apo të dhëna se ku gjenden trupat e tyre, pavarësisht nga titujt e dhënë. Ai shtoi se ishte në dijeni të të paktën 40 personave të tjerë, që u ekzekutuan rreth së njëjtës kohë, midis tetorit dhe nëntorit 1944.

“Shumë prej tyre u ekzekutuan, u zhdukën dhe humbën, dhe është tragjike dhe e padrejtë që familjeve të mos u njihet e drejta për kompensim. Të ekzekutuarit pa gjyq në këtë kohë, fundi i tyre është më tragjik sesa i atyrë që u ekzekutuan me gjyq. Ata patën mundësinë të mbronin veten, edhe pse pa sukses,”shpjegon ai.

Për njerëzit e ekzekutuar me gjyq, edhe pse ishin të stisur, familjet në përgjithësi e dinë se ku janë varrosur trupat. Ky nuk ishte rasti për familjen e Nazmiut dhe kjo ka hedhur një hije të gjatë mbi jetën e tyre.

“Kurdoherë që vintetetori dhe nëntori, nëna ime qante gjatë gjithë muajit për Nazmiun. Derdhte lot për fundin e tij tragjik,” tha Hysen, duke shtuar se nëna e tij vdiq në 1988, që do të thotë se ajo e mbajti zi për më shumë se 44 vjet.

“Asaj i vinte keq sepse ai ishte një njeri shumë i butë, familjar. Kërkimet që kemi bërë ndër vite nuk kanë dhënë rezultat,” thotë ai, duke tundur kokën.

Hysen flet për thashethemet dhe artikujt e gazetave që përmendin fatin e Nazmiut ndër vite, megjithse nuk ka asgjë konkrete. Është spekuluar se janë qëlluar në zonën veri-lindore të Tiranës, pranë lumit Lanë, por familja nuk ka mundur të konfirmojë datën e saktë të ekzekutimit të tyre.

Dokumentet tregojnë vetëm ditën kur ata u takuan me komunistët – 28 tetor 1944.

“Ata as nuk patën guximin të pranonin se e ekzekutuan”, shton ai me neveri.

Ai foli gjatë për “gjuetinë e shtrigave” të kryer nga komunistët, deri në fund. Gjithashtu, foli disa herë për faktin se vrasjet nga komunistët filluan para datës zyrtare, që njihet në librat e historisë.

Interesante është se, qeveria shqiptare, së fundmi, miratoi një ligj që ndalon Institutin për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), të studiojë ngjarje apo krime të kryera para nëntorit 1944.

ISKK kishte punuar më parë në studimin e krimeve dhe veprimtarive komuniste, duke mbuluar perjudhën nga 1941 deri në 1944. Ata argumentojnë se kjo periudhë është thelbësore, pasi i shtroi rrugën regjimit.

Një studim ka zbuluar 265 emra komunistësh të përfshirë në sulme, djegie shtëpish, grabitje dhe vrasje. Qeveria, e udhëhequr nga Partia Socialiste, të cilët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të Partisë Komuniste, kundërshtoi botimin e raportit dhe më vonë vendosi ndalimin e tij.

“Po, vrasjet filluan para datës zyrtare që dihet. Ça janë këto formalitete? Të paktën 30 ose 40 persona u vranë gjatë tetorit-nëntorit 1944, para 29 nëntorit. E pse konsiderohet 29 nëntori fillimi i regjimit komunist? Filloi më 24 maj në Përmet,” deklaron Hyseni i irrituar.

Teksa mbërritëm në fund të intervistës, e pyetëm se si ndihet për Nazmiun dhe çfarë kujton nga ai.

“Unë isha vetëm katër vjeç kur ai vdiq, por e kujtoj, duke biseduar me të … Kam një dashuri të madhe për të. Mbaj mend që kam patur një ëndërr, që e mbaj mend edhe sot e kësaj dite. Endërruar sikur ai vinte drejt meje, por e kuptova se nuk ishte e vërtetë kur u zgjova. Gjithmonë kam qënë kurioz për atë që i ndodhi”.

Për sa i përket pjesës tjetër të familjes, ai tha kohës së tyre po i vjen fundi dhe shpreson që ata mund të jenë në gjendje të zbulojnë të vërtetën. Fëmija i vetëm i mbijetuar i Nazmiut, Afërdita, i cili tani është 85 vjeç, ende mban shpresë se do të gjejnë, në mos drejtësi, të paktën informacion.

Mentori, djali i vogël, vdiq tetë vjet më parë. Hyseni shpjegon se ai vdiq me shumë dhimbje në zemër për mungesën e drejtësisë dhe dinjitetit për babanë e tij. Sipas tij, Mentori pyeste veten: “Çfarë është dinjiteti kur babai im shpërfillet? Ne kemi nevojë të rifitojmë dinjitetin tonë. ”

Intervistës sonë po i vjen fundi gjithashtu dhe Hyseni psherëtin.

“Të gjitha humbjet e jetës janë të dhimbshme, por pa emër apo varr, pa drejtësi, pa motiv … duke e lënë familjen në mjerim me tre fëmijë, më i vogli vetëm një vjeç… në një moshë kaq të re, vetëm 40! Sakrifica sublime është sakrifica më e madhe,” thotë ai.

dbabd fe ba ddf

Me falenderime të veçanta për familjen Daci dhe Uruci. Kushtuar jetës dhe kujtimit të Nazmi Uruci 1904-1944, qofshi i qetë në paqe.

Dosjet e Kujtesës financohen nga Konrad-Adenauer-Stiftung.

Për histori të ngjashme të viktimave të komunizmit, mund të vizitoni Arkivën Online të Viktimave të Komunizmit Kujto.al.

Kërkimi: Rezarta Caushaj, Alice Taylor
Përkthimi: Aldo Baxhaku
Gazetari: Rezarta Caushaj, Alice Taylor
Videografi, fotografi, regji: Leand Kalaja
Publikuar nga Exit News.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>