Skedarët e Kujtesës: Historia e Elez Rust Islamit

Author Alice Taylor dhe Rezarta Caushaj
Skedarët e Kujtesës: Historia e Elez Rust Islamit

Si një mace që luan me prenë e saj para se ta vrasë, regjimit komunist shqiptar i pëlqente t’u shkaktonte terror psikologjik viktimave të tij, para se t’i shkatërronte plotësisht.  Pasi identifikonin një armik, ata përdornin çdo mjet që kishin në dispozicion për t’u thyer shpirtin, për t’i bjerrur forcën dhe për t’i dobësuar, para se t’i dënonin me burgim të përjetshëm ose vdekje. 

Kjo demonstron jo vetëm brutalitetin fizik të ekzekutuar nga regjimi, por tregon se ata ishin të ftohtë dhe përllogaritës gjithashtu.  Ne do të dëgjojmë një histori jo vetëm tragjike, por që përshkruan torturat emocionale të shkaktuara ndaj njerëzve të zakonshëm. Por para se të fillojmë, dua t’ju bëj një pyetje.  A do ta dënonit veten me vdekje për të mbrojtur dikë tjetër?

Gjëja e parë që vura re te Sadije Hamza ishte buzëqeshja e saj. Sytë e saj rrudhen në skaje dhe fytyra emeton ngrohtësi dhe miqësi, pavarësisht një nuance të  pamohueshme trishtimi. Rrugës nga Tirana për në Pukë, ajo bisedon me entuziazëm, duke rrëfyer historitë e jetës së saj dhe duke na pyetur për fëmijët.

Por teksa i afrohemi destinacionit tonë, ndjej se ajo bëhet më nervoze. Shtrëngon duart, psherëtin dhe kujton ato që nuk janë më me ne.

Udhëtimi për në Pukë, që të çon nëpër kodrat e Shqipërisë së veriut, është i gjatë. Pyjet e gjera të pishave i hapin rrugë gërmimeve të zhurmshme në shkëmb, të cilat nga ana e tyre u hapin rrugë shpateve të rrezikshme dhe luginave të thella më poshtë.

Në periferi të Pukës, Sadije na kërkoi që të ndalonim makinën dhe dëgjoj se si i thyhet zëri teksa përtyp lotët. Ajo tregon varrezat në anë të rrugës dhe flet për personat që janë varrosur atje. Një emër mungon. Elez Rust Islami, gjyshi i saj, i cili u vra mbi 70 vjet më parë e trupi i të cilit nuk është gjetur kurrë.

Edhe pas gjithë këtyre viteve, familja e tij nuk ka se si ta qajë veçse me kujtimet kalimtare që zotërojnë.

Elezi lindi më 21 janar 1913 në Pukë, në Veri të Shqipërisë. Ai lindi në një familje të madhe, të klasës së lartë punëtore, të cilët kishin trashëguar sasi të konsiderueshme tokash dhe pronash. Në pamundësi për të vazhduar shkollimin në Pukë, ai u dërgua në Shkodër ku ndoqi shkollën dhe krijoi shumë miq.

Astriti, një burrë i gjatë, i mveshur me zgjuarsi dhe nipi i Elezit, e përshkruan si një njeri shumë shoqëror, të shoqërueshëm dhe miqësor, por që gjithashtu kishte etje për dije. Ai ishte me fat që pati shansin të studionte në Shkodër sepse qyteti konsiderohet një ‘djep i kulturës’ dhe Elez u ekspozua ndaj shumë ideve, pikëpamjeve dhe njerëzve të ndryshëm. Por pasi mbaroi shkollimin, ai u kthye në shtëpi në Puke, i etur për të ndërtuar një jetë të re në tokat e tij stërgjyshore.

Pas kthimit, u martua me Fatimën, një grua nga fshati i afërt i Rrapës dhe patën gjashtë fëmijë: Agimin, Barijen, Enverin, Shabanin, Servetin dhe Halitin. Elezi u angazhua në punë bujqësore për të mbajtur familjen e tij dhe për të ndërtuar një vatër.

Gjatë jetës së tij, Elezi u bë i njohur si një njeri dashamirës dhe bamirës. Ai respektohej për ‘besën’ që mbante me njerëzit përreth. Në kulturën shqiptare, veçanërisht në veri, besa është një koncept i bazuar në besimin, nderin dhe forcën e fjalës së dikujt. Për shumë shekuj, ajo ka qenë një nga themelet kritike të jetës familjare dhe shoqërore shqiptare, duke bashkuar komunite dhe duke mbajtur flakën e traditës të ndezur.

Një njeri i apasionuar pas vendit të tij, kur u krijuan qelizat e para komuniste në Shkodër në 1943, Elezi ishte i prirur të angazhohej. Ai ëndërronte që problemet me të cilat vendi ballafaqohej, si pavarësia, varfëria dhe korrupsioni, do të mund të gjenin zgjidhje nga komunistët e rinj. Ai e çoi  ideologjinë në Puke dhe krijoi organizatën e tij komuniste, përfshirë persona që ai mendonte se ishin të besueshëm dhe të aftë.

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë italianë, Elezi u zgjodh Kryetar i Këshillit Antifashist vendor dhe ishte krenar që luftoi për vendin dhe lirinë e tij. Por, pasi komunistët morën vendin, ai kuptoi se ata që erdhën në pushtet nuk ishin ata që kishin luftuar për vendin e tyre. Në vend të tyre, ishin spiunë dhe ata që “nuk kishin qenë kurrë burra”.

Astrit shpjegon se Elez ishte i zemëruar sepse kishte luftuar për të çliruar Shqipërinë dhe për të krijuar një shtet që njeh pronën, dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut. Por pas vitit 1944, filloi ta shihte realitetin në sy.

Gjatë luftës, shtëpia e tij u përdor si qendër partizane dhe spital për rrethin e Pukës. Më pas, ai arriti të merrte një kontratë për të prerë dru në malin e Terbunit, ku punësoi shumë njerëz. Biznesi i tij lulëzoi dhe ai furnizonte me lëndë drusore të gjithë Pukën, deri në Shkodër. Por ky sukses, gërshetuar me dyshimet e tij në rritje për regjimin e sapo instaluar, shpejt e kthyen në shënjestër.

Një ditë, shpjegon Astriti , një mysafir erdhi në shtëpinë e Elezit. Ai trokiti në derë dhe pyeti nëse i zoti i shtëpisë priste mysafirë. Në kulturën shqiptare, mysafiri është një nga njerëzit më të nderuar në të gjithë shoqërinë. Sapo një mysafir vë këmbë në shtëpinë tuaj, nikoqiri është i detyruar me traditë t’i ofrojë mbrojtje, t’i shërbejë dhe nderojë. Të keqtrajtosh një mysafir është një nga aktet më të turpshme të imagjinueshme për shumë shqiptarë, veçanërisht në veri dhe veçanërisht kohë më parë.

Menjëherë, babai i Elezit, Rusta ftoi mysafirin brenda. Ky i fundit ishte anëtar i familjes së Kol Bibë Mirakaj, të cilin komunistët po e gjurmonin.

Kur fqinjët mësuan për mysafirin e Elezit, të pushtuar nga xhelozia për suksesin e biznesit të tij, e raportuan tek autoritetet komuniste. Pothuajse menjëherë, policia rrethoi shtëpinë i tij dhe kërkoi që Elezi të dorëzonte mikun.

Elezi refuzoi, dhe në vend të kësaj, dyshja u arratis në përmes një tuneli brenda shtëpisë, ku më pas morën drejtime të ndryshme. Elezi qëndroi i fshehur në malet e Pukës.

Përmes këtij akti sfidues, Elezi e kishte bërë të qartë besnikërinë e tij. Ai kishte demonstruar se detyra e tij si shqiptar, bajraktar dhe ndjekës i besës dhe nderit e tejkalonin besnikërinë e tij ndaj komunistëve.

Lëvizja tjetër që bënë komunistët ishte projektuar me kujdes për të shkaktuar sa më shumë dhimbje dhe agoni. Ata caktuan nipin e Elezit, Zenel Cobën si kreun e policisë në qytet. Ata i thanë Zenelit se ai ose duhet të arrestonte xhaxhain e tij ose ta detyronte të dorëzohej.

Në këtë kthesë mizore të fatit, ata e vendosën familjen në një pozitë të pamundur. Nëse Zenei dështonte, Elezi e dinte që mund ta vrisnin, por arrestimi ose dorëzimi do të thoshte burg dhe vdekje për të.

Zeneli u përpoq të mbronte xhaxhain e tij dhe i kërkoi që të dorëzohej. Ai besonte se për shkak të pozicionit të tij në polici, do ta mbronte nga më e keqja.

I ndarë mes lumit dhe detit, Elez vendosi t’i dorëzohej nipit të tij. Ai mbërriti në zyrën e tij në një ditë të ftohtë dëbore dimri. Menjëherë pasi mbërriti, Zeneli mori lajmin se një incident kishte ndodhur aty pranë dhe duhet të shkonte menjëherë. Ai la xhaxhain e tij në zyrë, duke i kërkuar që të mbyllte derën dhe të ngrohej pranë sobës.

Pak e dinte Zeneli se ishte një kurth. Në Fushe Laj nuk pati asnjë aksident, por në fakt, ishin dërguar njerëz nga Tirana për ta vrarë. Me të mbërritur në Fushe Laj, atij i zunë pritë dhe e vranë. Në të njëjtën kohë, komunistët sulmuan zyrën e tij dhe arrestuan Elezin.

Edhe teksa ishin duke e tërhequr zvarrë, ai mbeti sfidues, duke bërtitur “poshtë Partinë Komuniste, poshtë Enver Hoxha” në natën e zymtë të dimrit. Fjalë të tilla në atë kohë ishin si shprehje e dëshirës për të vdekur, sepse pak guxonin të kërkonin hapur për fundin e regjimit.

Në ditët dhe javët që pasuan, komunistët ishin të vendosur të shkatërronin reputacionin e Elezit. Ata e quajtën një armik të popullit, partisë dhe vendit. E dënuan për zotërim prone dhe biznesesh, si dhe shpifën se  kishte vjedhur qymyr dhe dru nga shteti. Sigurisht, asnjëra prej tyre nuk ishte e vërtetë.

Krimi i tij i vetëm kishte qenë të luftonte për vendin e tij, të mbronte një mik dhe të mbante qëndrim për ato që besonte.

Ai u arrestua, por asnjëherë nuk u gjykua. Deri më sot, familja nuk ka qenë në gjendje të gjejë një vendim të vetëm gjyqësor ose shkresë në lidhje me Elezin apo krimet e tij të supozuara.

Elezi u transferua më pas në një burg në Tiranë para se të transferohej në Shkodër, përsëri në Tiranë dhe më pas, në Kavajë. Familja u etiketua pasi kishte një biografi të keqe dhe u persekutua në çdo kuptim të fjalës.

I dëshpëruar për të patur lajme për babanë e tij, një nga djemtë e Elezit, i cili ishte vetëm 13-vjeç, arriti të zbulojë se në cilin burg ishte. Ai bëri udhëtimin e gjatë nga Puka në Kavajë dhe më në fund, e takoi. Elezi i shpjegoi se nuk e dinte pse ishte arrestuar sepse të gjitha llogaritë dhe inventarët e tij ishin në rregull.

Me kalimin e viteve, familja e vizitoi sa më shpesh që të mundte. Ata i sillnin ushqim për të plotësuar racionet e varfëra të burgjeve komuniste të Shqipërisë.

Pastaj, Astriti shpjegon se, në vitin 1953, babai i tij vizitoi burgun për t’i çuar Elezit një govatë me mish të zier dhe sende të tjera. Kur i tha rojes se po i çonte për Elez Rustën, roja thjesht iu përgjigj: “Ai nuk është më; ka vdekur, ka kohë. ”

Me mosbesim ndaj këtij zbulimi, babai i Astritit i tha se duhet të ketë një gabim pasi ai kishte sjellë ushqim për të për muaj të tërë.

“Jo, ai ka kohë që ka vdekur,” u përgjigj roja, sikur të ishte gjëja më normale në botë. Kur u pyet se ku e kishin varrosur Elezin, roja nuk pranoi të përgjigjej.

Pa mbrojtje nga pushteti lokal apo qendror, dhe tashmë pa kryefamiljar për t’i mbrojtur, familja vuajti shumë. Babai i Elezit u përpoq t’u ngrinte moralin, duke thënë: “Do të jetoni! Do jetoni me djersën tuaj dhe do ruani dinjitetin tuaj, karakterin tuaj dhe do të vazhdoni siç ju kemi mësuar.”

Të pakënaqur me vrasjen e Zenelit dhe burgosjen e më pas, zhdukjen e Elezit, komunistët vendosën t’i shkaktojnë edhe më shumë dhimbje familjes. Ata sekuestruar të gjithë gjënë e gjallë, përfshirë mbi  700 lopë, dele dhe dhi. U  morën pronat, përfshirë shtëpinë, deri te rrotat e djathit që gjetën brenda.

Në shtëpinë e tyre me tetë dhoma, atyre iu dhanë vetëm dy dhoma për të gjithë familjen me 30 vetë. Dhomat e tjera u mbushurën me të ardhur, mësues dhe infermierë. Për vite me radhë ata jetuan në varfëri, me vetëm një hektar tokë dhe mjete të mjaftueshme vetëm për të mbijetuar.

Persekutimi vazhdoi brez pas brezi. Astriti dhe i vëllai filluan universitetin, por shpejt u përjashtuan sapo autoriteteve iu shkoi ne vesh lidhja me Elez Rust Islamin. Femijëve dhe nipave e mbesave të tij iu mohua arsimimi dhe mundësitë.

Familja u thirr disa herë për në internim, por shpëtuan nga rrethana fatlume.

Ata konsideroheshin të padenjë dhe se detyra e tyre e vetme në jetë ishte të silleshin mirë dhe të punonin.

Astriti psherëtin, “Shpresoj që do të vijnë ditë më të mira për fëmijët tanë, sepse ne nuk morëm atë që na takonte, edhe pas rënies së regjimit.”

Ndërsa sot është një biznesmen i suksesshëm, Astriti shpjegon se 83% e qytetit është ndërtuar në tokën e Elezit, të cilën nuk e kanë kërkuar mbrapsht.

“Ne jemi e vetmja familje në veri që nuk kemi trokitur në dyert e të tjerëve për t’u kërkuar atyre të largohen sepse janë në tokën tonë,” thotë ai.

Me kalimin e viteve, familja nuk e humbi shpresën. Ata kërkuan eshtrat e Elezit në Tiranë, Ndroq, Kavajë dhe Mali me Gropa, duke vizituar të gjitha vendet e njohura si vende ekzekutimi. Megjithë përpjekjet e tyre të mëdha, nuk gjetën asgjë. Qeveria nuk ka ofruar as përgjigje dhe as ndihmë.

Madje familjes i ishte mohuar statusi i të persekutuarit politik. Për shkak se Zeneli ishte komunist dhe për shkak të rolit të mëparshëm të Elezit si kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar në Pukë, u refuzuan. Pavarësisht se komunistëve të tjerë të rangut të lartë, që më pas u persekutuan, iu është dhënë ky privilegj.

Sadije flet dhe zëri i saj dridhej sërish nga emocionet. Ajo shpjegon tmerrin e sistemit komunist, i cili ishte krijuar për t’i kthyer familjet kundër njëri -tjetrit dhe për t’I shndërruar edhe fëmijët në spiunë. Ajo tregon se si ata jetonin me frikën e vazhdueshme të persekutimit, të tillë si përjashtimi nga shkolla, ose më keq.

“Ne kemi vuajtur gjatë gjithë jetës sonë, edhe në demokraci …”

Ajo fillon të dridhet, lotët i shfaqën në sy dhe zëri bëhet më i qetë dhe më i tendosur.

“As nëna ime nuk e njihte (babain). Kur komunistët e merrnin, nënën time e çuan t’i jepte lamtumirën babait të saj. Gjithçka që nëna ime mban mend është dora e tij në kokë. Imagjinoni një foshnjë që rritet dhe nuk e mban mend babanë. Imagjinoni sa e dhimbshme është kjo?” ” përlotet ajo.

Por Sadije është krenare që është mbesa e tij.

“Jam krenare që jam mbesa e Elez Rust Islamit. Jam krenar për bujarinë, mikpritjen dhe besën që dha – duke mos tradhtuar kurrë një mik. Nëse do ta tradhtonte, mbase do të ishte gjallë sot. Por ai ishte një njeri i fjalës së tij, dhe për këtë arsye, sot ne nuk e dimë se ku janë eshtrat e tij. ”

 

Duke falenderuar familjen Elezi- Kuçi, në kujtimin e dashur të Elez Rust Islamit.

Financuar nga Konrad-Adenauer-Stiftung.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>