Tirana do të presë “Marshimin e Krenarisë” (Tirana Pride) për të njëmbëdhjetën herë më 21 maj, sipas një njoftimi nga aktivistë vendas dhe OJQ-ve.
Këtë vit parada do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike, pasi kufizimet e pandemisë i detyruan aktivistët ta mbanin atë online për dy vjet me radhë.
Anëtarët e komunitetit LGBT+ dhe aleatët e tyre do të mblidhen në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë të shtunën, më 21 maj, në orën 11:00 për të nisur paradën.
“Marshimi i Krenarisë në Tiranë” do të jetë kulmi i një jave aktivitetesh të drejtuara nga shoqëria civile, që fokusohen te të drejtat dhe jetët e anëtarëve të komunitetit LGBT+.
Për vitin 2022, ai do të titullohet “Ne jemi familje”, dhe do të fokusohet tek ideja e familjes dhe solidaritetit me LGBT+.
“‘Ne jemi familje’ – sepse familjet LGBTIQ+ janë pjesë e padiskutueshme e familjeve. Familjet tona ekzistojnë! Ato janë pjesë e shoqërisë sonë. Ato ushqehen nga dashuria dhe përkushtimi për njëri-tjetrin, pavarësisht sfidave, diskriminimit dhe sakrificave”, thuhet në njoftimin e organizatës “Aleanca LGBT”
Thirrja për të shfaqur familjet LGBT+ vjen pasi kërkesa e një çifti grash lezbike për t’u njohur si prindër të vajzave të tyre binjake shkaktoi zemërim në mediat sociale dhe nisi një fushatë ngacmimi kundër dy grave.
Si përgjigje, aktivistët e të drejtave të LGBT+ botuan një letër të hapur ku argumentuan se vajzat binjake meritojnë mbrojtje ligjore dhe nënat meritojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë nga ligji.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.
Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.