Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje pritjen e fundvitit me përfaqësues të trupit diplomatik.
Në fjalën e tij ai u shpreh se në Shqipëri nuk ka drejtësi dhe korrupsioni përcakton vendimet e drejtësisë. Gjithashtu, Zoti Rama theksoi se reforma në drejtësi është kushti kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në BE.
“…..ne këtu në sallë jemi 100 për qind dakord që në Shqipëri as drejtësi nuk ka dhe se korrupsioni përcakton vendimet e drejtësisë. Prandaj jam i vetëdijshëm se pa i çuar rrathët e tërmetit të reformave nën këmbët e sistemit të drejtësisë nuk do të garantojmë dot themelet e ngrehinës moderne të shtetit demokratik që po përpiqemi dita ditës të ndërtojmë”.
Në lidhje më raportin e BEs për Kosovën, Kryeministri e quajti një turp për europën izolimin e Kosovës.
“Shqipëria është në krah të Kosovës. Po ashtu, ne jemi të bindur tek këmbëngulja jonë që absurdi i izolimit të Kosovës duhet të marrë fund një orë e më parë, jo thjesht për Kosovën, por vetë Europën. Është një turp që Europa nuk mund ta mbajë për një kohë edhe më të gjatë”.