Komisioni i Venecias dorëzoi dje draftin me propozimet e tij lidhur me reformën në drejtësi. Sugjerimet kryesore të Komisionit janë:
- Të kufizohet roli i Ministrit të Drejtësisë në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në mënyrë që të shmanget konflikti i mundshëm i interesit.
- Ministri i Drejtësisë të mos jetë pjesë e Gjykatës Disiplinore.
- Të qartësohet se kush vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
- Të përcaktohen në Kushtetutë parimet e përgjithshme të meritokracisë mbi të cilat do të emërohen gjyqtarët dhe prokurorët. Proçedura e emërimit të tyre duhet të jetë e bazuar mbi meritë, transparencë dhe thirrje të hapur për kandidatët.
- Të qartësohet në Kushtetutë marrëdheënia e Prokurorit të Përgjithshëm dhe strukturës së veçantë të prokurorëve të antikorrupsionit.
- Përbërja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të gjyqtarëve e prokurorëve duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur.
- Gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen verifikimit duhet të kenë garanci për një gjykim të drejtë e të paanshëm, si dhe të gëzojnë të drejtën e ankimimit tek një organ i pavarur.
- Të përcaktohet statusi, kompetencat dhe kushtet e emërimit dhe shkarkimit të vëzhguesve ndërkombëtare.