Presidenti Bujar Nishani shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar në arritjen e konsensit mes palëve, për reformën në drejtësi. Ai ftoi përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës të zgjidhin problemin politik dhe më pas t’ia lenë në dorë ekspertëve për të hartuar nenet teknike, sipas sygjerimeve të Komisionit të Venecias.
Bisedimet mes ekspertëve të PS, LSI e PD kanë ngecur tek mënyra e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike propozon që gjyqtarët të zgjidhen me shumicën e 2/3-ve të votave të Parlamentit, kusht që nuk është pranuar nga ekspertët e tjerë. Komisioni i Venecias, në sygjerimet e tij, shprehet se zgjedhja me 3/5 e votave mund të jetë problematike kur shumica ka 84 vota në Parlament, pasi mund të bëjë zgjedhje politike.
Deputetët e PD-së nuk morën pjesë në mbledhjen e djeshme, pasi kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të mos kapet nga politika, në asnjë lloj situate parlamentare.