Ambasadori i SHBA-ve Donald Lu deklaroi sot nevojën për transparencë financiare të partive politike. I pranishëm në diskutimet për Reformën Zgjedhore, ambasadori Lu tha se “ nxisim, të gjithë partitë politike të prezantojnë auditin ndërkombëtar të financave të partive dhe të fushatave të tyre dhe t’i bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve.”
Ai kërkoi gjithashtu dhe zbatimin me përpikmëri të ligjit të dekriminalizmit, për të eleminuar persona me të shkuar kriminale në listat zgjedhore të partive.
“Disa ambasadorë të BE dhe unë pamë grupe të mëdhenj gangsterësh të rinj në moshë, jashtë qendrave të votimit që dukshëm donin të frikësonin votuesit. Shumë njerëz na dhanë prova të blerjes së votës dhe votimit në grup,” shtoi ambasadori Lu, për zgjedhjet lokale të vitit 2015.
Në fund, ambasadori i kërkoi votuesve që “të marrin përgjegjësinë për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë.”