Tashmë, dializën duhet ta ofrojë një kompani private, por, në mënyrë të dyshimtë, disa spitale publike po blejnë preparate dialize në sasi të mëdha.
A janë këto blerje fiktive dhe paratë shkojnë në xhepat e drejtuesve të spitaleve? Apo spitalet publike do vazhdojnë ta bëjnë ato dializën e privati thjesht do marrë paratë pa bërë gjë?
Para tre javësh, Qeveria lidhi kontratën e shumëpërfolur për konçesionin e dializës, në bazë të së cilës kompania konçesionare Diavita do të ofrojë shërbimin komplet të dializës, përkundrejt një çmimi të përcaktuar për çdo seancë. Sipas kontratës konçesionari do të kryejë të gjitha seancat e nevojshme të dializës për pesë spitalet rajonale—Elbasan, Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër—për një periudhë 10 vjeçare duke filluar nga janari i këtij vitit.
Por në mënyrë të pashpjegueshme, Qendra Spitalore e Elbasanit po prokuron preparate dialize me vlerë rreth 46 milion lekë (gati gjysëm milione dollarë).
Për këtë qëllim ajo ka shpallur, para dy ditësh, një tender që specifikon se furnizimi me preparate dialize duhet të mbulojë periudhën deri në fund të vitit.
Kjo do të thotë, që spitali i Elbasanit është duke blerë preparate mjekësore për një shërbim që ai nuk e kryen më dhe që duhet të kryhet nga konçesionari.
Të njejtën gjë po bën edhe spitali i Gjirokastrës i cilia ka hapur një tender për preparate dialize me vlerë 25 milion lekë (rreth 250 mijë dollarë).
A po i vjedhin këto fonde spitalet publike që po i përdorin për një shërbim që nuk duhet ta ofrojnë më? Sido që të jetë, këto prokurime janë shumë të dyshimta.