Kuvendi miratoi, sot, aktet nënligjore të dekriminalizimit me votat e maxhorancës dhe opozitës. Marrëveshja mes palëve u arrit pas dy ditë debatesh, që nisën në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet dhe vijuan në Kuvend.
Pas votimit, opozita braktisi seancën, me argumentin se maxhoranca ende nuk ka plotësuar tre kushtet e vëna prej opozitës. Kushtet për rikthimin e opozitës në parlament janë:
- Largimi i deputetëve me rekorde kriminale nga Parlamenti;
- Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga maxhoranca, sipas të cilit Parlamenti nuk duhet t’i fshehë Gjykatës deputetët që kanë abuzuar me fondet publike;
- Funksionimi normal i grupeve parlamentare të hetimit, që deri tani janë penguar nga maxhoranca.
“Për të treja këto kushte, Partia Demokratike ka depozituar sot nisma konkrete ligjore që duhet të materializohen sa më shpjetë,” deklaroi deputeti Eduard Halimi.