Kreu i KQZ-së, Denar Biba, shfajësohet tek drejtuesit më të lartë të shtetit pas akuzave të ngritura nga Prokuroria për shkelje të procedurave. Në një letër dërguar presidentit Nishani, kryeparlamentarit Meta, kryeministrit Rama dhe ambasadorëve, Biba ankohet duke deklaruar se e gjithë veprimtaria për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit është kryer dhe do të kryhet konform ligjit.
Organi i akuzës po heton këtë institucion për disa shkelje. Në dokumentin që ka dorëzuar KQZ për formularin e vetëdeklarimit, nuk specifikohet përgjigjia e deputetit Armando Prenga, nëse ai ka qenë ndonjëherë i dënuar nga gjykata apo jo. Faktikisht ky deputet rezulton i dënuar në Itali për vjedhje pasurie e identitet të rremë.
Ndërkohë që për të ka dhe një dënim nga Gjykata e Kurbin për falsifikim dokumentash. Një tjetër akuzë që i është ngritur KQZ-së është dhe pranimi i dorëzimit të formularëve të dekriminalizimit përtej afateve të parashikuara nga ligji për një deputet dhe për dy kryebashkiakë.