Kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi sot se është i gatshëm të dialogojë për zgjidhjen e krizës politike, por nuk tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të lira.
“Zgjidhja që ofrojmë është zgjidhje e ndershme, nuk po i kërkojmë [Kryeministrit Rama] pushtet në tavolinë, nuk po i kërkojmë të shporret, edhe pse i takon, por i kërkojmë t’i japë mundësi shqiptarëve të votojnë”, deklaroi zoti Basha përpara mbështetësve të opozitës në çadrën e protestës.
Kreu i PD u shpreh i vendosur për të luftuar deri në fund për fitoren e kauzës së opozitës: zgjedhje të lira e të ndershme.
Sot mbasdite zoti Basha do të takohet me dy negociatorët evropianë McAllister e Fleckenstein për të arritur një marrëveshje për zgjidhje të situatës politike në vend.