Koment: Shqipëria në Eurovizion: Problem shoqëror me seksualitetin femëror, apo mundësi e humbur?

Nga Alice Taylor
Koment: Shqipëria në Eurovizion: Problem shoqëror me seksualitetin femëror, apo mundësi e humbur?

Eurovizioni është i njohur për ekspozimin e pikave të forta dhe të dobëta të gjeopolitikës pan-evropiane, por pjesëmarrja e Shqipërisë në vitin 2022 ka nxjerrë në sipërfaqe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me seksin, seksualitetin dhe artin.

Shqipëria, një vend shpresëdhënës për anëtarësim në BE, është shtëpia e 2.8 milionë njerëzve. Pas shekujve të sundimit osman, shqiptarë provuan republikën dhe monarkinë përpara se të zhyten në gati 50 vjet sundim autoritar komunist, i cili ndaloi çdo gjë perëndimore, duke përfshirë muzikën dhe veshjet.

Tridhjetë vjet më vonë, ndërsa mbizotëron ca nga mentaliteti i vjetër, të rinjtë janë të prirur të adoptojnë stile më perëndimore të veshjes dhe muzikës.

Eurovizioni ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Festivali i Kënges, i cili përzgjedh këngën pjesëmarrëse të atij viti, është një nga ngjarjet më të mëdha në kalendarin e argëtimit. Pjesëmarrësja e këtij viti ishte Ronela Hajati, një këngëtare dhe kantautore e njohur nga Tirana.

Kënga e saj ‘Sekret’ nuk arriti të kalonte raundin gjysmëfinal, por fitoi mbështetje për mesazhin e saj “seks pozitiv”. Ndërsa në Shqipëri ajo është kritikuar gjerësisht për veprime “të turpshme”  dhe për shfaqje të “vulgaritetit”.

Të martën, më 10 maj, ajo doli në skenën e Torinos me një veshje pas trupi në ngjyrë të argjendtë, me një grup kërcimtarësh. Duke kaluar mes shqipes dhe anglishtes, ajo performoi këngën duke e ndërthurur me shumë lëkundje të ijeve, rrotullime dhe lëvizje të simuluara të një natyre qartësisht seksuale.

Për audiencën perëndimore, veshjet e pakta dhe rutinat sugjestive të kërcimit nuk janë absolutisht asgjë e re, por për Shqipërinë, ky ishte një hap i tepruar.

“Pornografi e butë, vulgaritet, dhunë e përgjithshme vizuale dhe akustike. Kështu ka zgjedhur Shqipëria të përfaqësohet këtë vit në Eurovizion”, tha një aktiviste feministe, duke shtuar se nuk ishte gjë tjetër veçse një “cirk patriarkal”.

Ajo vazhdoi duke thënë se banaliteti i shfaqjes ishte për shkak të një “sistemi të thyer socio-ekonomik ku korrupsioni ka fituar mbi talentin dhe meritokracinë, ku arsimi është shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme dhe ku nuk mund të kemi hapësira ku ushqehet arti që të mund të prek mendjet dhe zemrat e shumë njerëzve.”

Komentet e tjera në rrjetet sociale e sulmuan atë me egërsi, duke i hedhur një lumë sharjesh poshtëruese të përqendruara te gruaja dhe duke kritikuar veshjet e saj. Ata gjithashtu nuk u përmbajtën kur bëhej fjalë për figurën e saj, duke i kërkuar që ta mbulonte dhe të humbiste peshë.

Por disa ishin më diplomatikë në qasjen e tyre, por sidoqoftë pa e miratuar shfaqjen e saj.

“Më pëlqeu energjia, performanca, guximi, por të kishte pasur një veshje tjetër… ishte shumë seksualizuese”, tha njëri, ndërsa një tjetër shtoi se ishte “vulgare” dhe “gjë e neveritshme”, që nuk përfaqëson shqiptarët.

Një burrë shpjegoi se mendon se përfaqëson realitetin e sotëm, është pa klas dhe ka ndikuar në identitetin e artit shqiptar.

Një pikë e zakonshme mes të pyeturve ishte se ajo duhej të kishte shfrytëzuar rastin për të demonstruar pasurinë e kulturës shqiptare dhe në veçanti të muzikës. Shqipëria ka një traditë të pasur kulturore për muzikën, ku çdo qytet apo fshat ka një stil të veçantë të këngës dhe vallëzimit.

“Kjo këngë nuk përfaqëson Shqipërinë. Çfarë donte të vërtetonte ajo me këtë këngë? Mjaft me këto”, tha një tjetër.

Edhe në vitin 2022, Shqipëria është një vend që ende përballet me besime shumë të rrënjosura patriarkale. Gratë janë ende të nënpërfaqësuara në vendin e punës dhe në disa sektorë, abortet me bazë seksi ndodhin ende, operacionet e virgjërisë kryhen në klinikat e Tiranës dhe dhuna në familje është në një nga nivelet më të larta në Evropë. 

Për më tepër, barra e punës së papaguar shtëpiake dhe e bazuar në përkujdesje që bie mbi gratë është pothuajse një e katërta e ditës së tyre, ndërsa burrat shpenzojnë vetëm 3.7%.

Por a bazohet reagimi ndaj Ronelës te çështjet e Shqipërisë me rolin e gruas në shoqëri apo janë kritika të drejta?

Sipas mendimit tim, të shohësh gra të veshura teksa rrotullohen në televizion nuk është asgjë e re. Unë u rrita duke parë Madonën, Britney Spears, Beyoncé etj duke performuar në faza të ndryshme të zhveshjes. Jam njohur edhe me tekstet eksplicite të shumë këngëve rap dhe këngëve pop ndër vite. Performanca e Ronelës nuk ishte tronditëse për mua në këtë aspekt, sepse i kam parë të gjitha më parë, dhe ndoshta ky është problemi.

Eurovizioni duhet të jetë një shans për të shfaqur talentet unike të çdo vendi, në gjuhën amtare dhe duke përfshirë ndikime tradicionale ose zakonore. Duhet të jetë një mundësi për të shfaqur para botës, muzikën dhe aftësitë muzikore shqiptare. Me të gjithë sytë vështruar, ky ishte një rast i humbur për të treguar diversitetin e muzikës dhe kulturës shqiptare, me një kthesë bashkëkohore. Ronela është padyshim një grua e talentuar me një prani të madhe skenike, por a mjafton kjo?

Mjerisht, mendoj se ky qe një rast i humbur dhe në vend të kësaj na u shfaq diçka që e kishim parë qindra herë më parë, me përjashtim të atij rrotullimi epik të kokës.

 

EU funded RDN

Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>