“Europa është sot një projekt i paplotë dhe kjo e bën atë disfunksionale.” Kjo ishte deklarata e Kryeministrit Rama, bërë dje në një takim me eurodeputeten sllovene Tanja Fajon dhe disa të rinj shqiptarë.
“Europa duhet të ndryshojë, por fakti që duhet të ndryshojë është një arsye për ta dashur më shumë,” vazhdoi më tej kryeministri.
Duke folur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ai tha se në këto 25 vjet pavarësisht ndryshimeve pozitive, janë shkaktuar dhe plagë të mëdha si pasojë e një zhvillimi të paqëndrueshëm.
“Procesi i integrimti është instrumenti i vetëm i patjetërsueshëm që ne kemi si shoqëri për të bërë një shtet modern. Është i vetmi instrument që mund ta mbajë Shqipërinë të fokusuar tek një qëllim i madh dhe pavarësisht luhatjeve e energjive të harxhuara dëm, e konfliktualitetit të natyrshëm, vazhdon të jetë e bashkuar në këtë process,” theksoi Zoti Rama.
Ndërsa Tanja Fajon, eurodeputetja që ndoqi procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë me BE-në, vlerësoi punën e deritanishme të Shqipërisë dhe tha se duhet vazhduar me punën për pesë prioritetet kryesorë të vendit e sidomos me procesin e reformës në drejtësi.